Presidenti Barroso përshkruan veprimet e Moskës si në “kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”


UkrainaBashkimi Europian nuk do të pranojë një “veto” nga Rusia në lidhjet e bllokut me ish-Republikat Sovjetike, deklaroi dje presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso. Duke folur në një takim të BE-së në Lituani, Barroso tha se koha e “sovranitetit të kufizuar ka kaluar në Europë”.


Samiti nuk ia doli të vendosë një marrëveshje miqësimi me Ukrainën, që duhej të ishte thelbi i takimit. Presidenti i Ukrainës tha se ai nuk mund të sakrifikonte lidhjet e tregtisë me Rusinë – e cila kundërshton marrëveshjen – për llogari të lidhjeve me BE-në.


Udhëheqësit e BE-së nuk qenë në gjendje t’i shpjegonin Kievit se sa të rëndësishme janë këto marrëveshje. Ato janë marrëveshjet më të gjera që BE-ja u ka ofruar ndonjëherë vendeve të treta dhe një tregues i qartë se Ukraina po humbet një mundësi të jashtëzakonshme.


Diskutimet me qeverinë e Ukrainës do të vijojnë, por ka shumë dyshime mes diplomatëve nëse një marrëveshje e tillë do të mund të realizohet për sa kohë Viktor Janukoviç do të mbetet President i vendit. BE-ja mund të duhet të presë së paku deri në zgjedhjet e Ukrainës më 2015-n dhe do të duhet të zbatojë një politikë të quajtur “durim strategjik”.


Diplomatët gjithashtu dinë se vendet në partneritetin lindor do të mbeten nën presion nga Rusia. Pra ishte domethënëse që të gjithë udhëheqësit kryesorë të BE-së – Merkel, Kamerun (Cameron, Hollande dhe të tjerët – zgjodhën të shprehin mbështetjen e tyre personale për procesin.


Por nuk ka mohim se dështimi në sigurimin e firmës së Ukrainës është një zhgënjim i madh për shumë nga të pranishmit në Vilnus. Dhe mund të ketë edhe një farë debati të brendshëm nëse përgjigjja diplomatike e BE-së ndaj strategjisë agresive të Rusisë ishte ajo e duhura.


Presidenti Janukoviç i Ukrainës ngriu planet e firmosjes javën e kaluar. Ai e mbrojti vendimin, duke thënë se nuk pati ndihmë të përshtatshme humanitare.


Pas dy ditëve samit, z. Barroso tha: “Ne nuk do të dorëzohemi ndaj presionit të jashtëm dhe jo nga Rusia. Ne nuk mund të pranojmë se një marrëveshje bilaterale ka një farë vetoje nga një vend i tretë. Kjo është në kundërshtim me të gjitha parimet e ligjit ndërkombëtar.”


Presidenti i Këshillit të Europës, Herman van Rompuy, tha se palët qenë me të vërtetë “pranë” nënshkrimit të marrëveshjes, por shtoi se “ne duhej të kapërcenim presionin nga jashtë”.


“Ne kemi filluar një udhëtim të gjatë, duke ndihmuar Ukrainën të bëhet, si të tjerët, ‘shtet i ri anëtar’. Por ne na duhet të mendojmë edhe për llogaritë politike afatshkurtra.”


Gjithsesi progres u arrit me dy ish-republika të tjera sovjetike, Gjeorgjia dhe Moldavia.


Marrëveshjet e asociimit me këto dy vende u iniciua – një fazë para nënshkrimit – të premten. Diplomatët kanë shpresë se këto marrëveshje do të mund të firmosen vitin e ardhshëm.


Udhëheqësit e BE-së thanë në një deklaratë më herët se e kundërshtojnë “fort” presionin e Moskës mbi Ukrainë për të mos firmosur – ndërsa Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, akuzoi BE-në për “shantazh”.


Analistët thonë se Rusia punoi fort për të minuar marrëveshjen mes BE-së dhe Ukrainës, vend të cilin Rusia e sheh si një partner me rëndësi jetësore.


Në anën tjetër, Rusia i ofroi Kievit kredi me çmim të ulët. Ajo kërcënoi gjithashtu me sanksione të dhimbshme dhe me çmime më të larta për gazin.


Janukoviç, nga ana e vet, tha se Ukraina vijon të ketë për synim nënshkrimin e marrëveshjes, por se “ka shumë pengesa për t’u kapërcyer”.


Ai këmbënguli se vendi ka nevojë për një “program masash të përbashkëta për të përshtatur ekonominë e Ukrainës ndaj realiteteve të reja” dhe për minimizimin e “pasojave negative” për grupimet më të dobëta.


Mbështetësit e tij e përshëndetën vendimin e Janukoviçit, i cili më herët e cilësoi ofertën e BE-së për t’i dhënë 610 milionë euro kredi si të papërshtatshme dhe shtoi se vendi i tij ka nevojë për së paku 20 miliardë euro në vit për të mbuluar koston e përmirësimit ekonomik drejt “standardeve të BE-së”.


Ndërkohë, opozita ka ditë që proteston në të gjithë vendin duke kërkuar firmosjen e menjëhershme të marrëveshjes me BE-në.