I ati i të arratisurit Altin Ndocit ka folur për herë të parë për ‘Top Story’, ku është shprehur se djali i tij nuk ka bërë asnjë gabim, ndërsa tha se qëkur ai u arrestua para gjashtë viteve ai ka jetuar me frikë.

I ati u shpreh se ka dashur të bëjë edhe një denoncim në polici për t’ia gjetur djalin, ndërsa tregoi se para pak orësh disa oficerë i kishin shkuar edhe në shtëpi për ti bërë kontroll.

“Djali im s’ka bërë asnjë gabim, nuk ka gabuar në dijeninë time që përfundoi në burg. Kishte shumë marrëdhënie të mira, as edhe një indice të vogël. Kisha frikë që ditën e parë që u arrestua para 6 vitesh dhe kam ndenjur gjithmonë me frikë sepse të vriteshin 2 vëllezër nuk ishte një gjë e vogël, njeriu lind dhe vdes kur ta dojë zoti dhe jo robi. Tani unë nuk i ruhen asnjërit më, nuk i kemi asnjërit borxh as unë as djali im.

Unë nuk mbaj asnjë lloj qëndrimi pasiv, doja që dje të denoncoja në polici se e dua djalin tim, unë nuk pash asnjë polic. Para një ore erdhën nja 5-6 veta bënë një kontroll, asnjë bisedim apo marrëdhënie me policinë”, u shpreh babai i të arratisurit Altin Ndoci.

Arratisja e 38-vjeçarit Altin Ndoci ndodhi pas një planifikimi disa mujor të detajuar.

Fillimisht i paraburgosuri me një skedë të rëndë kriminale nga SPAK ndërtoi një fabul për një sëmundje akute që e detyronte policinë e burgjeve ta çonte në spitalin e Durrësit dhe jo në spitalin e burgjeve në Tirane.

Me pretendimin e krizave në veshka, Ndoci shkoi disa herë në repartin infektiv të spitalit të Durrësit, ku identifikoi hapësirat që do t’i hapnin dyert e arratisë këtë të martë, me ndihmën e bashkëpunëtorëve që e morën me makinë nga ku humbi gjurmët.