Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 11 majit, vendi do të ketë një kabinet qeverisës me përfaqësim mbarëkombëtar. Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha u ndal tek përbërja e qeverisë që synon të formojë, duke nënvizuar se do të përfshijë shqiptarët nga të gjitha trojet.

I pyetur se kur do të shpallë emrat e anëtarëve të kabinetit, Berisha u shpreh se ndryshe nga tradita britanike, ai nuk e sheh të arsyeshme të prezantojë një kabinet në hije para zgjedhjeve.

“Do të jetë një kabinet me përfaqësim mbarëkombëtar të shqiptarëve, kudo ku janë. Kabinet në hije në Evropë paraqesin vetëm konservatorët britanikë, kabineti ynë do të shpallet pas fitores së 11 majit,” deklaroi Berisha.

Kjo deklaratë vjen ndërsa fushata zgjedhore po hyn në fazën e saj më intensive dhe tensionet politike janë në rritje. Berisha ka paralajmëruar një platformë të re drejtimi dhe përfaqësimi që, sipas tij, synon bashkimin e shqiptarëve përtej kufijve administrativë.