Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë një afat prej dy javësh për të dhënë vendimin lidhur me kërkesat paraprake të paraqitura nga mbrojtja në çështjen penale të njohur si “Dosja Partizani”.
Në qendër të hetimeve qëndrojnë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, të cilët akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Në seancën e mbajtur të hënën, Prokurori i Posaçëm Arben Kraja kundërshtoi pretendimet e avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan pavlefshmërinë e akteve procedurale dhe rrjedhimisht pushimin e çështjes. Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, reagoi duke thënë: “Ky ishte një qëndrim i pritshëm nga prokuroria, që po mban në duar një dosje voluminoze, por pa asnjë provë penale.”
Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi deklaroi se hetimet janë të motivuara politikisht dhe se SPAK po mbështetet në dëshmitarë të rremë, duke akuzuar gjithashtu institucionin për refuzim të hetimeve ndaj aferave të qeverisë.
Sipas SPAK, Berisha ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të favorizuar dhëndrin e tij në procedurat e privatizimit të pronës shtetërore, ndërkohë që ndaj Malltezit rëndojnë akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Nën hetim ndodhen gjithashtu edhe disa bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë çështje.
Vendimi i gjykatës për kërkesat paraprake pritet të jepet brenda dy javësh, një zhvillim ky që mund të përcaktojë rrjedhën e mëtejshme të procesit penal.