Familjarët e dy fëmijëve që humbën jetën tragjikisht nga aksidenti në Durrës kanë vendosur kurora me lule pranë policisë së Durrësit, por dhe pranë Kuvendit në shenjë proteste.

Për “Shqipëria Live”, ata janë shprehur se kërkojnë masa dhe ashpërsim të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, pasi ndihen të pasigurt. Më tej shtojnë, se pas aksidentit, fëmijët e tyre nuk njiheshin, duke treguar shkallën e rëndë të përplasjes.

 “Ne kërkojmë të merren masa më të rrepta. Të bëhet kontroll për çdo individ që është në timon. Duhet të shtohen patrullat. Ne e kemi defektin dhe tek vetja sepse nuk ka më vende ku të luajnë fëmijët. Janë parcela që rrinë kot në lagje dhe nuk përdoren që të luajnë fëmijët. Sot na ndodhi ne, por ka shumë raste të ngjashme. U vra Martin Cani, vajza në Potam, këtë herë e kishim ne radhën. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit, a dikujt tjetër. Të ketë një patrullë që të na japë siguri. Tek kurora e komisariatit shkruajtëm që duam masa më të rrepta nga policia e Durrësit. Tek kurora e dytë, i drejtohemi ministrit dhe deputetëve që të bëjnë ligje më të rrepta. Duhet të jenë të gjithë njësoj. Edhe unë vetë jam shofer, por ligji të jetë i barabartë. Nuk ecet duke marrë patentën me ligj, apo të të kthehet patenta pas bllokimit se ke dy miq. Nëse nuk merren masa, këto kurora do vazhdojnë, si në rrugë, si këtu, si qirinjtë… Dhimbja na ngelet ne. Ne kërkojmë vetëm ndihmë nga shteti që të merren masa.”– tha një nga familjarët.

“Ne kërkojmë masa për mbrojtjen e fëmijëve. Kemi vetëm Zotin, por dhe Zoti nuk ka çfarë bën më. Atë që ndodhi e pa gjithë Shqipëria. Duhet të na mbrojnë fëmijët. Nuk ia urojmë askujt fatin tonë. Unë kam shkaur pas 5 minutash nga ngjarja. Djalin nuk e kam njohur. Ishin shokë dhe luanin bashkë. Të dy fëmijët nuk njiheshin.”- tha familjari i një prej fëmijëve të ndjerë.