Në Tiranë është mbajtur dita e pestë e protestës kundër projektit në Zvërnec.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u shpreh në “Top Story” se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe për këtë arsye, qytetarët shprehin ngazëllim.
Gjithsesi ai shton se sfida sot është zgjidhja e kësaj mosmarrëveshje mes qytetarëve dhe qeverisë.
“Absolutisht që duhet të ishte një qasje tjetër, nëse po përshkruajmë fenomenin e 29 apo 30 majit, atë skenë të turpshme që unë besoj se sot ka fajtorë dhe që po ballafaqohen me ligjin ata që e kanë shkelur. Njerëzit kur ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese, kanë ngazëllim. Protesta është një nga ato të drejta. E kam përjetuar atë ngazëllim kur e drejta për të protestuar nuk ishte kushtetuese. Protesta është e drejtë kushtetuese, të bën të ndihesh mirë, por sfida jonë, qoftë në rastin e Zvërnecit, qoftë në atë të Rrjollit, është sfida e një demokracie funksionale.
Sfida jonë është si do të mund të zgjidhim këtë mosmarrëveshje. Këta njerëz nuk besojnë te këto institucione dhe kanë dalë aty. Në një shtet ku funksionon ligji, konfliktin dhe mosmarrëveshjen e zgjidh institucioni, jo forca. Kjo do të bëjë edhe rifitimin e besimit nga qytetarët.
Kjo ishte dhe thirrja e Kryeministrit kur tha: “Ata që më kanë votuar…”. Ndaj në çdo demokraci funksionale duhet të shkosh ose te fleta e votimit, ose te referendumi, ose te Gjykata Kushtetuese”, u shpreh ministri.
