Situata vijon e njëjtë për të gjitha shërbimet që do të duhej të ofroheshin te Spitali i Traumës.
Më 19 maj 2025, ministrja e Shëndetësisë lajmëroi se shërbimi i Okulistikës në Spitalin e Traumës është pajisur me aparatura bashkëkohore, duke iu dhënë mundësi pacientëve që të trajtohen dhe të marrin shërbim cilësor të trajtimit të syve. Për këtë, mjekët treguan pajisjet dhe folën gjerësisht për to. Por sot, edhe ky shërbim është i mbyllur për qytetarët.
“S’di se çfarë me ba oj ti motër”, u shpreh qytetari.
“Me syrin që e kam bërë operim, të thashë, më ka shkuar 1 milion e 400 mijë lekë, te privati e kam bërë, më kanë bërë 12 gjilpëra, shiko si ma bënë syrin, nuk shoh fare”, u shpreh qytetari.
Ky shërbim është i mbyllur edhe në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, sipas denoncimeve që kanë bërë edhe vetë mjekët publikisht. Kjo bën që të gjithë ata pacientë që kanë probleme me shikimin ose t’i drejtohen privatit, ose të rrezikojnë të humbasin shikimin.
“Vajta te francezi dhe më thanë: xhaxha, të vjen radha pas 6 muajsh, i thashë unë për 6 muaj unë pale ku shkoj, shkoj në Amerikën e poshtme, tu u tall edhe unë me ta”, u shpreh qytetari.
“Nuk merret vesh moj motër, çfarë të bësh, ku të gjesh rrugën ta zgjedhësh, të tërë mashtruesa kanë ngelur, vetëm të të kontrollojnë xhepat, te privati më keq akoma”, u shpreh qytetari.
Top Channel
