Mimoza Kusari-Lila ka qenë mbrëmë në studion e “Top Story”, ku ka bërë një rrëfim personal. Politikania nga Kosova ka rrëfyer se si zbuloi se kishte një tumor në gji.
Kusari-Lila u shpreh se gjithçka nisi gjatë një kontrolli rutinë, që e kryen çdo vit.
“Pas kontrolleve, zbulova se kisha një tumor 1 cm”, tregoi politikania e njohur, duke shtuar se pas ndërhyrjes kirurgjikale iu nënshtrua edhe trajtimit me rreze.
Deputetja u shpreh se momenti kur u diagnostikua me kancer përkoi me periudhën më të ashpër të sulmeve politike ndaj saj në Kosovë.
“Kur u diagnostifikova me kancer, kam qenë në kulmin e sulmeve politike. Por ballafaqimi im personal, momenti kur e kuptova që kam kancer, ka qenë pjesa më e lehtë në raport me pjesën e jashtme. Thoja: qelizat malinje të brendshme i kam më lehtë t’i kontrolloj se ato që gjenden jashtë, ose që mundohen të më sulmojnë nga jashtë”, rrëfeu Kusari.


