Ministria e Punës: Qendrat e trajnimit japin informacion duke u nisur nga kërkesat e tregut
Shpresa Mezini
Numri i të papunëve në vendin tonë arrin në mbi 13%. Të paktën kjo është shifra që raporton Ministria e Punës për periudhën janar-korrik 2012. Ekspertët sqarojnë se numri i tyre mund të jetë edhe më i lartë, për shkak se jo të gjithë u drejtohen zyrave të punës për regjistrim. Specialistët pohojnë për gazetën “Shqip” se numrin më të lartë të të papunësuarve e zënë të rinjtë, disa prej të cilëve me arsim të mesëm, të tjerë me arsim të lartë. Në këtë kuadër merr rëndësi roli i Drejtorisë Kombëtare të Punësimit në Ministrinë e Punës dhe qendrave të formimit profesional në vend, të cilat operojnë me strategji specifike në ndihmë të personave që nuk punojnë.
Një nga politikat që aplikon Ministria e Punës është e ndarë në dy pika kyçe, në ndërmjetësimin mes punëkërkuesve dhe punëofruesve dhe në trajnimin për kushte të reja punësimi. Kjo është një nga metodat që aplikohet prej vitesh në të gjitha vendet e zhvilluara të botës, së fundmi edhe në vendin tonë, me qëllim uljen e numrit të të papunëve dhe gjetjet e degëve të reja, ku mund të ndihet i plotësuar kushdo, sidomos ata që janë me arsim të mesëm. Në shërbim të tyre vihen 10 qendra publike të formimit profesional, në të cilat çdo vit drejtohen rreth 10 mijë persona. ¼ e të trajnuarve dhe të certifikuarve në qendrat e formimit profesional janë me arsim të lartë.
“Nëpërmjet formimit profesional synohet integrimi kryesisht i punëkërkuesve të papunë në tregun e punës, por ky shërbim u ofrohet edhe personave të tjerë që synojnë të rrisin aftësitë e tyre në përputhje me nevojat e tregut të punës”, parashikohet në politikat e Ministrisë së Punës. Qendrat ofrojnë trajnime disamujore në varësi të profesionit që ato preferojnë të ushtrojnë, në disa qytete të vendit, si: Tiranë, Shkodër, Korçë, Fier, Gjirokastër, Vlorë apo Durrës.
Kurset që ofrojnë Qendrat Kombëtare të Formimit Profesional janë nga më të ndryshmet. Ato prekin fusha nga më të larmishmet, ndërsa edhe kohëzgjatja e tyre varion kundrejt pagesave specifike. Në to mund të bëhesh mekanik automjetesh, rrobaqepës, parukier, instalues dhe riparues i rrjetit elektrik, elektroaut, kujdestar fëmijësh apo përdorues kompjuteri.
Për të zotëruar profesionin e mekanikut të automjeteve, duhet ta ndjekësh kursin për një periudhë kohore prej 4.5 muajsh, rreth 360 orë, ku punëkërkuesit e papunë paguajnë 3000 lekë të reja, ndërsa të tjerët 5000 lekë. Për t’u bërë rrobaqepës, kandidati duhet ta ndjekë kursin për 4.5 muaj, kundrejt pagesave 5 mijë ose 1500 lekë të reja, në varësi të statusit. Llojet e kurseve që ofrohen në këto qendra janë të larmishme, por sipas të dhënave rezulton se disa prej tyre konsiderohen si më elitare për shkak të kërkesave të larta të kandidatëve. Në krye të listës pozicionohen: mekanik makinash, kuzhinier, hidraulik, kurse suplementare për mësimin e gjuhëve të huaja, riparues të pajisjeve elektroshtëpiake, shërbim hoteleri, murator-suvator dhe shërbim automobilash. Çmimet janë të ndryshme për fusha të ndryshme, ku tarifa më e ulët paguhet për profesionin kujdestar fëmijësh, e cila është nga 500-1000 lekë të reja, ndërsa pagesën më të lartë e paguajnë parukerët e nivelit të parë, nga 25000-35000 lekë të reja.
Të rinjtë preferojnë kuzhinën,parukerinë dhe mekanik automjetesh
Çmimet nga 500-30000 lekë të reja. Më e shtrenjta parukeria, më e lira kujdestari fëmijësh
Kursi Kohëzgjatja Tarifat e regjistrimit (në lekë)
Profesioni Orë/muaj Punëkërkues të papunë Të tjerë
Mekanik 4.5 muaj 3000 lekë 5000 lekë
Automjetesh
Kuzhinier 3.5 muaj 2000 lekë 4000 lekë
Elektroaut 2.5 muaj 1500 lekë 3000 lekë
Sekretare 2 muaj 1500 lekë 3000 lekë
Panele Diellore 2 muaj 2000 lekë 4000 lekë
Kujdestar 2 muaj 500 lekë 1000 lekë
Fëmijësh
Anglisht
(3 nivele) 3 muaj 2000 lekë 2000 lekë
Përdorues 1.5 muaj – 2000 lekë
Kompjuteri
Rrobaqepës 4.5 muaj 1500 lekë 5000 lekë
Saldator 3 muaj 1500 lekë 3000 lekë
Riparime 2.5 muaj 1500 lekë 3000 lekë
elektroshtëpiake
Suvatues 2 muaj 1500 lekë 3000 lekë
Pllakashtrues 2 muaj 1500 lekë 3000 lekë
Shërbim 2 muaj 1500 lekë 3000 lekë
Hoteleri
Banakier 2 muaj 1500 lekë 3000 lekë
Qëndistari 2 muaj 1500 lekë 3000 lekë
Raporti
Këshilli bashkiak, Basha harron gratë dhe fëmijët
Dënohet fjalori i ashpër i këshilltarëve. Mbledhja të zhvillohet një herë në muaj
Në 5 mbledhjet e Këshillit Bashkiak, gjatë periudhës mars-korrik 2012, nuk rezulton se çështjet që prekin gratë apo fëmijët të jenë prioritet i Bashkisë së Tiranës. Të paktën këtë konkludon Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/DCI), e cila publikon raportin e vëzhgimit të mbledhjeve të këshillit bashkiak të zhvilluar në muajt mars-korrik të këtij viti. Sipas raportit, në axhendën e mbledhjeve, ka pasur vetëm 3 projektvendime të miratuara, të cilat ndikojnë në jetën e grave në nevojë dhe të të rinjve të Tiranës, por ato nuk adresojnë problemet reale të tyre.
Raporti vëren se kryetari i bashkisë ka qenë prezent në të gjitha mbledhjet e këshillit bashkiak, duke u vënë kështu në kontakt të drejtpërdrejtë të shqetësimeve të qytetarëve përmes këshilltarëve të zgjedhur prej tyre. Sipas tij, në të gjitha mbledhjet e këshillit bashkiak, kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes ka qenë konform ligjit, por në disa raste fjalori i përdorur nga këshilltarët dhe kryetari i këshillit mund të konsiderohet absolutisht i ashpër për një institucion publik.
“Raporti rekomandon që: këshilli bashkiak të mblidhet jo më pak se një herë në muaj konform ligjit të qeverisjes vendore, njoftimi për mbledhjet e Këshillit Bashkiak të bëhet publik në sajtin e bashkisë përmes një kalendari të botuar disa ditë përpara zhvillimit të mbledhjes, këshilli bashkiak dhe administrata e bashkisë të marrë masat e nevojshme për krijimin e hapësirave të nevojshme për ndjekjen e mbledhjeve të komisioneve konform rregullores dhe këshilltarët të jenë shumë herë më të kujdesshëm në gjuhën dhe fjalorin e përdorur gjatë mbledhjeve. Sh.Mezini