Lufta
Separatistët kryejnë betejën e parë serioze me trupat e qeverisë, përdorin armë të rënda
Gjashtë ushtarë ukrainas u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në një kurth të ngritur nga rebelët në rajonin lindor të Donetskut, thanë zyrtarët. Njësia u sulmua pranë qytezës së Kramatorskut nga rreth 30 rebelë të armatosur rëndë, tha Ministria e Brendshme.
Korrespondentët thonë se kjo është humbja më e rëndë deri tani për forcat e qeverisë të angazhuara në një operacion ushtarak kundër separatistëve. Donetsku është një nga dy rajonet lindore ku rebelët kanë shpallur ndarje nga Ukraina pas referendumeve që konsiderohen ilegale nga Kievi dhe shtetet e Perëndimit.
Ministria e Mbrojtjes tha se një autoblindë me ushtarë u godit nga një antitank dhe shpërtheu. Më shumë ushtarë u vranë apo u plagosën në luftimet që pasuan goditjen e autoblindës.
Dy ditë më parë, separatistët pro-rusë deklaruan se trupat ukrainase në rajon do të konsiderohen si forca pushtuese dhe duhet të largohen. Udhëheqësi i tyre i bëri thirrje Moskës të aneksonte rajonin. Ndërkohë, në rajonin fqinj të Luhanskut, separatistët thanë se ka pasur një atentat ndaj kreut të tyre. Guvernatori i vetëshpallur Valeri Bolotov, u qëllua dhe ka humbur shumë gjak, por jeta e tij nuk është në rrezik, deklaroi zyra e shtypit e “Republikës Popullore të Luhanskut”.
Më herët, guvernatori i Donetskut i emëruar nga Kievi tha se Ukraina po planifikonte një referendum kombëtar për decentralizimin e pushtetit me rajonet. Ai bëri thirrje që Parlamenti i Ukrainës të miratojë një ligj që do të krijojë bazën për zhvillimin e një referendumi ku rajonet të marrin më shumë fuqi duke mbetur pjesë e Ukrainës. Qeveria e Ukrainës po organizon ndërkohë një tryezë kombëtare bisedimesh për të dalë nga kriza. Në tryezë do të marrin pjesë udhëheqës civilë nga lindja e vendit, por separatistët e armatosur kanë refuzuar të hapin bisedime.