Xhaxhai i efektivit të ndjerë Enea Mekolli ka reaguar sërish lidhur me operacionin ku humbi jetën 34-vjeçari, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u organizua aksioni për kapjen e Violand Braçllarit.
Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se personat që morën vendimin për zhvillimin e operacionit duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të japin shpjegime për mënyrën se si u veprua në terren. Sipas tij, efektivët janë dërguar në aksion pa masat e nevojshme të sigurisë.
Familjari i policit të vrarë kundërshtoi gjithashtu deklaratat e drejtuesve të Policisë së Korçës, të cilët kanë bërë të ditur se në operacion morën pjesë rreth 40 efektivë. Ai pretendon se në momentet e para në vendngjarje kanë qenë vetëm pak policë.
“Nga sa dimë ne, nuk ka pasur mbështetjen dhe mbrojtjen e duhur. Ata që vendosën për këtë operacion duhet të japin llogari. Në fillim kanë qenë vetëm gjashtë efektivë, ndërsa forcat e tjera kanë mbërritur më vonë”, u shpreh ai.
Deklaratat e familjarit vijnë ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e operacionit ku mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos një tjetër punonjës policie.
