“Diella” ishte risia e kabinetit të re qeverisës, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama. Bëhet fjalë për një personazh të krijuar me Inteligjencë Artificiale, që sipas Ramës, do të jetë përgjegjëse për prokurorimet publike. Por kush do të jetë përgjegjës për “Diellën”?

Sipas dekretit të sotëm të presidentit Bajram Begaj, në nenin 2, përcaktohet se Rama, përveç mandatimit si kryeministër, do të jetë përgjegjës për funksionimin e ‘Diellës’.

“Kryeministri ushtron edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale ‘Diella‘”, shkruhet në dekretin e Begaj.

Kujtojmë se Rama e prezantoi “Diellën” si një mekanizëm për të hequr dyshimet mbi abuzimet e mundshme në lidhje me tenderat shtetërorë.