Kreu i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi ka komentuar situatën e rënies së euros në vendin tonë. 

Në një intervistë ai theksoi se vetëm Banka e Shqipërisë e ka në dorë zgjidhjen e situatës së rënies së euro. Më tej ai nënvizoi se i kanë dhënë alternativat Bankës së Shqipërisë, por që kjo e fundit nuk ka marrë parasysh asgjë.

“Ne i kemi dhënë alternativat tona Bankës së Shqipërisë, prej të cilave kanë qenë praktika të njohura ndërkombëtare siç është fiksimi i kursit të euros, duke ndjekur dhe shembullin e Maqedonisë që prej disa vitesh ka një kurs stabël të euros.

Kemi dhe vende si Zvicra e cila në periudha të caktuara, kur monedha e tyre vendase  ka filluar të fuqizohet në  limite që e bëjnë ekonominë jo konkurruese, vendosin limite që këmbimi nuk mund të shkojë më poshtë se një limit i caktuar.  Një alternativë e dytë ishte që ne ta kalonim monedhën nga lekë në euro. Ne i kemi dhënë këto dy alternativa por  Banka e Shqipërisë nuk ka marrë parasysh asnjërën”- tha ai.