Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhen ditën e nesërme për të nisur punën, për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Mësohet se mbledhja e Kryesisë do të mbahet pasditen e nesërme, në orën 17:00, ku do të miratohen grupet e punës për listat e anëtarëve. Mbledhja është thirrur pas kërkesës së 7 anëtarëve të partisë.

Kujtojmë se në mbledhjen e fundit të Kryesisë, ku pati tensione dhe debate të forta, u vendos që zgjedhjet për kryetar të mbaheshin më 29 korrik. Ndërkohë, një grup i anëtarësisë doli kundër kësaj date.

Njoftim për mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike:

Te nderuar Anëtarë të Kryesisë. Në mbështetje dhe zbatim të nenit 45, pika 4, fjalia e parë, të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me kërkesë të 1/5 (një të pestës) së anëtarëve të Kryesisë së Partisë, njoftojmë mbledhjen e Kryesisë me rend dite si vijon:

1- Miratimin e grupeve të punës për mbikqyrjen e procesit të evidentimit të listave të anëtarësisë në Degët e PDSh;
2- Miratimin e rregullores së brendshme “Mbi modalitetet e procesit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike”;
3- Plotësimin e vakancave dhe emërimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor;

Mbledhja e Kryesisë do të zhvillohet ditën e Enjte, datë 15 qershor 2023, ora 17:00 në Sallën e Mbledhjeve të Selisë së Partisë Demokratike në rrugën Donika Kastrioti, Tiranë.

Anëtarët Kërkues:

● Taulant Zeneli

● Endri Hasa

● Gazmend Koduzi

● Taulanda Jupi

● Kreshnik Çollaku

● Xhemal Gjunkshi

● Gentian Gaba