Mandati i Altin Dumanit në krye të SPAK po i afrohet fundit, ndërsa sot në orën 09:00 Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të zhvillojë mbledhjen vendimtare për zgjedhjen e drejtuesit të ri të strukturës antikorrupsion. Seanca do të jetë e hapur për mediat dhe do të ndiqet nga përfaqësues të institucioneve të rëndësishme, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë, projektin Eu4Justice dhe programin amerikan OPDAT.
Për postin e kreut të SPAK garojnë katër prokurorë: Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gogaj dhe Klodian Braho. Për herë të parë, një grua është në garë për drejtimin e kësaj strukture. Kandidatët do të paraqesin platformat e tyre përpara anëtarëve të KLP-së, pas së cilës do të zhvillohet votimi për të zgjedhur drejtuesin e ri.
Në prag të këtij procesi, SHBA vlerësoi punën e Altin Dumanit, pas takimit që zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, Lyn Debevoise, zhvilloi me të një ditë më parë.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dhe ambasada britanike apeluan që procesi i përzgjedhjes të jetë transparent dhe me integritet, duke theksuar rëndësinë e emërimit të një drejtuesi të pavarur, profesionist dhe të përkushtuar ndaj standardeve evropiane.
Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK më 18 dhjetor 2022 dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar këtë strukturë që nga themelimi i saj, pas Arben Krajës.
