Nga tabela e projektit “Smart City” kuptohet edhe rrjeti me numrin e kamerave për secilën prej shkollave që do të integrohen në sistemin monitorues. Shkolla me numrin më të vogël të kamerave do të jetë ajo 9-vjeçare “Fan Noli”, ndërsa numri më i madh i tyre në shkollën e mesme “Qemal Stafa”
Sa më i madh numri i nxënësve, aq më i madh numri i kamerave.
“Me monitorim padashje mund të çojmë drejt bullizimit dhe agresivitetit të studentëve. Imagjino që do të monitorohen gjithë kohën. Do të qëndrojnë 8 orë, ndoshta më shumë me programin e ri. Nuk dihet, monitorimi do të jetë në ambientet e përbashkëta, apo edhe në klasa?”, u shpreh Gentian Serjani, avokat.
“Vendosja e kamerave inteligjente është një mundësi e mirë për të rritur sigurinë brenda institucioneve. Kamerat e Smart City nuk do të jenë në ambiente të ndaluara si në klasa, apo banjo, por në korridore, oborre, jashtë shkollave. Dhe kjo nuk e cenon privatësinë”, u shpreh Faik Basha, ekspert ekonomie.
Dilema e madhe që mbetet është se si do të ndikojë kjo nismë në psikologjinë e fëmijëve, duke pasur parasysh se ata do të jenë të monitoruar gjatë gjithë kohës. Mendimet dhe opinionet janë të ndryshme, por nëse flasim me psikologë të të miturve, situata është disi më e qartë në këtë aspekt.
Por, në gjithë këtë histori ka një dilemë të madhe: kush do t’i monitorojë këto të dhëna sensitive në kohë reale, shqiptarët apo monitoruesit në Abu Dhabi? Mbi këtë dilemë ngrihet shqetësimi se të dhënat tona dhe të fëmijëve mund të përfundojnë në duar si ato të hakerëve iranianë…
Të dhënat e mbledhura nga sistemet e monitorimit/kamerat do të vijojnë të ruhen në sistemin aktual në përdorim dhe administrim nga shkollat respektive. Platforma Smart City do t’i konsultojë këto të dhëna për qëllime të ligjshme dhe të përcaktuara qartë, konkretisht: parandalimin e incidenteve që cenojnë sigurinë; mbrojtjen e nxënësve, stafit dhe pasurisë publike. Të dhënat ruhen në sisteme të administruara nga kontrolluesi i të dhënave, respektivisht të dhënat nga kamerat e sistemit të monitorimit nga shkollat respektive sipas kapaciteteve rezervuese që ato kanë, ndërsa alertet për aktivitete të dyshimta në sistemin e administruar nga Policia e Shtetit.
Ministria thekson se do të ruhet konfidencialiteti përmes masave teknike të avancuara, por sërish mbetet dilema nëse të huajt do të kenë akses të dyfishtë…
Ministria e Brendshme sqaron se projekti do të implementohet në përputhje me Ligjin nr. 124, datë 19.12.2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i përafruar me standardet e Rregullores së BE-së (GDPR), duke respektuar parimet e ligjshmërisë, drejtësisë dhe minimizimit të të dhënave.
“Ne sot i kemi kamerat, jo të kësaj natyre. Nëse në kohën reale kapet konflikti, të çojë informacionin në qendrën e kontrollit, ta shpërndajë te operatorët dhe në kohë shumë të shpejtë të çojë informacionet te strukturat e policisë nëse është nevoja për ndërhyrje”, u shpreh Faik Basha, ekspert sigurie.
Në objektivat e shprehura publikisht që në hapat e parë nga ish-ministrja e Brendshme Albana Koçiu, sot zëvendëskryeministre, thuhet se projekti do të rrisë me 30 % zbulueshmërinë e veprave penale. Po ashtu, projekti synon uljen me 45 % të fataliteteve nga aksidentet, shifra të cilat mbeten për t’u parë…
“Nëse pamë rastin në Turqi kur një i mitur u fut dhe qëlloi me armë. Tregoi se edhe pse kishte kamera dhe monitorim, u pa se ishte shumë e lehtë për këta persona të futeshin në shkollë dhe të sulmonin fëmijët. Nuk mjafton vendosja e kamerave dhe monitorimi për sigurinë te fëmijët”, u shpreh avokati Redi Ramaj.
“Jo, nuk do të isha dakord që fëmija im të filmohej gjatë gjithë kohës. Që ta pranoja, do të doja të kisha bisedë transparente ndërmjet institucionit dhe materialeve filmike që do të sigurohen nga ky filmim. Së treti, do të doja që fëmija të mos ndihej nën trysninë e monitorimit, por të ndihej nën kujdesin e psikologut dhe punonjësit social. Dhe në momentin që ka një problem me shokun e klasës, të mos jetë vetëm kamera që e monitoron, por të jenë kujdestarja, psikologia, punonjësja sociale që i vjen në ndihmë”, u shpreh Gentian Serjani, avokat./ TCH
