Një person është arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se ka ndihmuar në organizimin e kushteve për vrasjen e Renato Hoxhajt, ngjarje që ndodhi pak kohë më parë në Vlorë. I arrestuari, me origjinë nga Tropoja dhe i njohur për aktivitet në fushën e shitblerjes së pronave, rezulton të jetë mik me Sidorel Prendin, i njohur gjithashtu si Rohan Brahimi.
Hetimet e kryera nga policia e Vlorës çuan në identifikimin e mjetit të përdorur nga autori i vrasjes. Ky mjet i ishte dorëzuar autorit nga tropojani disa ditë përpara ngjarjes, ndërsa pas dorëzimit, targat e makinës ishin ndërruar.
Gjatë arrestimit, policia sekuestroi një telefon celular që përmbante të dhëna të rëndësishme për hetimin. Nga analizimi i këtyre të dhënave dyshohet se vrasja mund të jetë porositur nga një grup kriminal me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e ekzekutorit, i cili ende nuk është zbuluar.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se viktima, Renato Hoxhaj, ishte në dijeni të një kërcënimi të mundshëm dhe kishte rritur masat e sigurisë. Ai kishte instaluar kamera sigurie në çdo cep të banesës së tij rreth dy muaj përpara atentatit. Pamjet nga këto kamera kanë dokumentuar momentin e ngjarjes dhe makinën e përdorur nga autori. Megjithatë, frikën për një sulm të mundshëm Hoxhaj nuk e kishte raportuar në polici.
Hetimet vazhdojnë.
