Mungesa e Erion Veliajt në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës ka shkaktuar përplasje mes këshilltarëve të opozitës dhe mazhorancës.
Këshilli kishte kërkuar që kryebashkiaku të merrte pjesë në mbledhjen e 29 shtatorit, fizikisht ose përmes videokonferencës, por kërkesa nuk u miratua nga SPAK.
Çështja u kthye në qendër të debatit që në nisje të mbledhjes. Këshilltarja opozitare Ilda Zhulali kërkoi të dinte se kush po ushtron aktualisht kompetencat e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, duke ngritur pikëpyetje mbi firmat, prokurimet, pagat dhe vendimmarrjen administrative.
“Kush e drejton sot Bashkinë e Tiranës, kush vendos, kush firmos?”, ishte pyetja e ngritur prej saj.
Këshilltari i opozitës Dorjan Teliti e ashpërsoi debatin, duke kundërshtuar që Veliaj të konsiderohet ende drejtues i bashkisë në kushtet aktuale.
Nga ana tjetër, këshilltari socialist Eridian Salianji e cilësoi këtë diskutim si politik dhe kërkoi që mbledhja të vijonte me shqyrtimin e çështjeve të rendit të ditës.
“Kryetari i Bashkisë është Erion Veliaj, që e kanë votuar qytetarët e Tiranës”, deklaroi Salianji.
Përplasja vijoi edhe me ndërhyrje të tjera nga opozita, ndërsa në debat u përfshi edhe këshilltarja Mirela Ruko, e cila argumentoi se situata e bashkisë nuk duhet të trajtohet si normale.
Përveç debatit mbi drejtimin e Bashkisë së Tiranës, në mbledhje u diskutua edhe projektligji për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Në rendin e ditës ishte gjithashtu propozimi për dhënien e titullit të nderit për katër drejtues të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe çështja e shpërblimit për zjarrfikësit që u angazhuan gjatë situatës së zjarreve.
Mbledhja e sotme riktheu kështu në qendër të vëmendjes debatin politik dhe institucional mbi funksionimin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa Veliaj vijon të mos jetë i pranishëm fizikisht në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.
