Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur sot në lidhje me SPAK, për financimin e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Gjatë konferncës së tij për shtyp, Berisha u pyet nga gazetarja e TCH, Elda Menga se kush e financoi kuvendin dhe si i siguroi paratë për ta mbajtur atë.

Ai u shpreh se çdo gjë është e deklaruar dhe se nuk ka asgjë të fshehur. Kryedemokrati u shpreh se hetimi pasuror i tij dhe i fëmijëve të tij, është kompletuar dhe është dërguar në gjykatë.

Deklarata:

Elda Menga, TCH: Në SPAK është intensifikuar hetimi pasuror i familjes tuaj, si fraksion i fashikullit ‘Partizani’. Në këtë kuadër SPAK po pyet një e nga një të gjithë organizatorët dhe financuesit e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Kanë kaluar 5 vite nga ajo kohë, a mund të na thoni se kush e financoi kuvendin dhe si i siguruat paratë për ta mbajtur atë?

Sali Berisha: Së pari mendoj se po dezinformon padashje publikun dhe këtë ta them me përgjegjshmëri të plotë. Hetimi pasuror i Sali Berishës dhe fëmijëve të tij, është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar me kohë në gjykatë. Ky hetim politik që bëhet nuk ka asnjë lidhje me asnjë hetim pasuror të Sali Berishës dhe fëmijëve të tij. Është një hetim i mirëfilltë politik për Kuvendin e Rithemelimit, për të cilin unë nuk kam asnjë vërejtje. Unë kam thënë dhe them, prokuroria duhet të jetë e lirë dhe ne qëndrojmë të hapur për çdo lloj hetimi. Por lidhja, është mashtrimi që ish-xhelati i sigurimit të shtetit, në bashkëpunim me Dumanin i bëjnë çështjes. Asnjë lidhje. Po për të justifikuar dhe janë gjer në primitiv. Se nëqoftëse ata do ta bënin atë hetim, unë do ta quaja gjë normale. Por fakti që aty nuk kanë çfarë të hëtojnë dhe duan ta lidhin me diçka që të gënjejnë, kjo është e dënueshme. Dëshmon se ata bëjnë një hetim politik.
Pra, edhe njëherë nuk ka asnjë lidhje, sepse hetimi pasuror i Sali Berishës, jam i vetmi politikan i hetuar brenda dhe jashtë vendit, për të gjithë pasuritë e mia. Çdo variant tjetër, prandaj ju lutem, por unë do të ju thoja gazetarëve që të mos e lejojnë veten të përdoren nga delinkuentë në institucionin e Skapit. Çdo lloj hetimi që të ndërmarrin nuk kam asnjë objeksion, nuk kam asnjë vërejtje.

Elda Menga, TCH: Në Kuvendin e 2021, ju na premtuat transparencë për financimin. Kaluan 5 vite, a mund të na thoni se kush e financoi?

Sali Berisha: Është deklaruar çdo gjë dhe çdo financim i çdo personi, është deklaruar. Nuk ka asgjë të fshehur. Personat që kanë financuar e kanë deklaruar atë sapo janë pyetur. Dhe ata besoj se, po thërrasin emra. E dinë që këta kanë deklaruar. Kjo është e tëra.

Elda Menga, TCH: Sa ka kushtuar fatura nëse keni një shifër?

Sali Berisha: Asnjë shifër nuk kam parasysh. Por di që në atë kohë, Lulzim Basha i dha Gabriel Eskobarit dhe Yuri Kim-it, një listë të bizneseve që po sponsorizonin Sali Berishën. Dhe këtu është fillimi, dhe Edi Rama. Dhe ata filluan të flasin një e nga një biznesmenë të cilët nuk kishin dhënë kurrë dhe nuk u kisha kërkuar kurrë një qindarkë. Ai Kuvend është financuar nga deputetë, aktivistë të PD-së. Ai çmim i stadiumit është publik. FSHF është ent publik dhe është detyrë e tyre të deklarojnë çdo gjë dhe ne kemi deklaruar çdo gjë.

Elda Menga, TCH: Pak më parë më thatë që po keqinformonim, edhe mediat e tjera. A mund të më thoni se ku ishte pasaktësia e pyetjes time dhe cili është varianti juaj, se për çfarë po heton prokuroria?

Sali Berisha: Ky është një hetim mirëfilltas politik, por unë nuk kam asnjë shqetësim. Por ta lidhësh këtë me atë që nuk lidhet, atëherë ti përpiqesh të fshihesh si struci për aktin që kryen. Asnjë lidhje me hetimin pasuror të Sali Berishës.

Elda Menga, TCH: Krahas hetimit politik, që ju e cilësoni, nuk ka lidhje me asgjë tjetër?

Sali Berisha: Them dhe njëherë, kolegë tuaj nga dera e Skapit apo nga studio televizive kanë deklaruar këtë që thatë ju. Hetimi po bëhet në kuadër të hetimit pasuror. Jo, ky është mashtrim. Mashtrim dhe i atyre që ua thotë. Unë nuk e di kush e ka thënë nga Skapi këtë. Unë e kam dëgjuar nga gazetarët dhe ju përsëritët një gjë që kanë thënë gazetarët të mashtruar, të cilët për hir të së vërtetës, nuk besoj ta kenë shpikur.

Elda Menga, TCH: Nuk po heton prokuroria asnjë fraksion të veçantë të fashikullit ‘Partizani’. Po thoni këto?

Sali Berisha: Prokuroria po e bën atë. Por deziinformimi është ky, për hetim pasuror. Nuk ka asnjë lidhje me hetimin pasuror. Sepse hetimi pasuror i imi është dërguar në gjykatë, është mbyllur hetimi pasuror. Aty zhvillohet një gjyq, ku midis të tjerash është rezultati i hetimit pasuror. Jo nuk ndodh ashtu. Ajo ndodh, hap dosje tjetër. Kur ke shkuar me mashtrime dhe gënjeshtra në gjykatë, kur nuk ke lënë gjë pa manipuluar dhe mashtruar në dosje, atëherë përpiqesh të vazhdosh të thellohesh në faqen e zezë të tyre. Kjo është e tëra. Nuk ka lidhje, sepse hetimi pasuror i Sali Berishës dhe fëmijëre të tyre është kompletuar, është dërguar në gjykatë. Është mashtrim që bën prokuroria. Por një gazetar që merret me ta, kur raportojnë duhet të kenë të qartë se, hetimi i pasurisë është i mbyllur dhe është në gjykatë. Dhe nuk duhet të pranojmë çdo mashtrim që jep Altin Troplini apo Arben Kraja.