Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me 48-vjeçarin Lulzim Visha, i cili u gjet i vrarë me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Tiranë.
Ai punonte si shpërndarës porosish për një kompani, dhe në momentin e ekzekutimit po lëvizte me makinën e kësaj kompanie, duke shkuar në punë. Në automjet shihen xhamat e thyera por dhe shenjat e plumbave, teksa dyshohet se ai mund të jetë qëlluar me silenciator pasi banorët e zonës kanë deklaruar që nuk janë dëgjuar krisma.
Nga ana tjetër në vendngjarje janë gjetur plot 12 gëzhoja, gjë që tregon se autori ka dashur të sigurohet që viktima do të vdiste. Një tjetër dyshim është dhe ai që viktima mund të jetë nxjerrë në pritë, duke u futur në kurth.
Një nga pistat e hetimit është ajo e hasmërisë të mundshme mes viktimës Lulzim Visha dhe personave të tjerë. Viktima njihej si person që kishte probleme. Ndërkohë dhe vëllai i tij ka vrarë një person para disa vitesh.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Ndërkohë po pyeten familjarë për të sqaruar dyshimet paraprake.