Shqipëria do të ketë së shpejti ambasadorin e ri amerikan në Tiranë. Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar zyrtarisht Eric Wendt në postin e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, duke i dhënë fund procesit të nominimit dhe miratimit të tij në institucionet amerikane.

Në seancën e zhvilluar në Senat, kandidatura e Wendt mori 51 vota pro dhe 47 kundër, duke siguruar shumicën e nevojshme për emërimin përfundimtar. Votimi erdhi pasi kandidatura e tij kishte kaluar më herët edhe filtrin e komisionit përkatës senatorial.

Me këtë vendim, Eric Wendt pritet të marrë detyrën në Shqipëri në ditët në vijim, duke zëvendësuar përfaqësimin diplomatik amerikan në Tiranë në një periudhë që konsiderohet e rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Wendt nuk vjen nga diplomacia tradicionale. Ai ka një karrierë të gjatë në ushtrinë amerikane dhe në strukturat e sigurisë, ku ka shërbyer për më shumë se tre dekada. Emri i tij u propozua nga Presidenti Donald Trump, ndërsa Shtëpia e Bardhë e paraqiti si kandidat për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të SHBA-së në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme në forcat e armatosura amerikane. Ai shërbeu si komandanti i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s deri në janar të vitit 2021, ndërsa më herët ka qenë Koordinator i Sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Ai ka drejtuar gjithashtu Qendrën dhe Shkollën e Luftës Speciale ‘John F. Kennedy’, si dhe operacionet speciale amerikane në Korenë e Jugut.

Në seancën dëgjimore para Senatit, Wendt prezantoi prioritetet që synon të ndjekë në marrëdhëniet me Shqipërinë. Ai e cilësoi vendin tonë një partner të rëndësishëm strategjik në NATO dhe kujtoi bashkëpunimin e tij me ushtarët shqiptarë gjatë misioneve ndërkombëtare.

‘Gjatë drejtimit të forcave të NATO-s, trupat shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me ta në terren. Në Afganistan kam shërbyer me trupa shqiptarë. Kam konstatuar se forcat speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeu’, deklaroi ai.

Wendt tha se siguria, mbrojtja, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i funksionimit të ambasadës amerikane në Tiranë do të jenë prioritetet kryesore të mandatit të tij.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së në këto fusha duhet të forcohet më tej.

Një pjesë e rëndësishme e deklarimeve të tij lidhej me SPAK-un, të cilin e vlerësoi si një institucion të pavarur dhe të suksesshëm.

‘SPAK, nga çdo gjë që kam lexuar, ka qenë një organizim apolitik, i pavarur dhe i suksesshëm’, u shpreh ai, duke shtuar se puna e këtij institucioni është e rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Wendt u shpreh gjithashtu në favor të mbështetjes së Shqipërisë në përmbushjen e objektivave të NATO-s, përfshirë rritjen graduale të shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcimin e sigurisë kibernetike.

Me konfirmimin nga Senati, Eric Wendt bëhet zyrtarisht ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, duke sjellë në Tiranë një profil të formuar kryesisht në fushën ushtarake dhe të sigurisë, me eksperiencë të gjatë në strukturat amerikane dhe aleancën e NATO-s.