Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu doli në një konferencë për shtyp pasditen e sotme, ku dha informacione mbi ngjarjen e ndodhur në resortin “Rexhina Palm”.
Pas konfliktit mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça u arrestuan 5 persona, mes tyre dhe ky i fundit. Po ashtu, një tjetër i arrestuar është dhe Anxhelo Breshani, truproja e biznesmenit Bedinaj. Breshani raportohet se ka marrë armën e zjarrit që biznesmeni e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty.
Breshani para se të ishte truproja e Vasil Bedinajt, ka qenë pjesë e uniformave blu. Ai raportohet se u shkëput nga forcat e policisë pas atentatit që iu bë në shtator të vitit 2022. Ai ndodhej me efektivin tjetër Nako Mehmetaj dhe të dy po udhëtonin me një makinë me xhama të zinj dhe pa targa. Ata kanë parakaluar makinën e autorëve dhe, në këtë moment, janë sulmuar me armë zjarri. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak se autorët i janë trembur një atentati, pa e ditur që brenda mjetit ishin dy policë.
