Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Breaking në Top News, ku komentoi mbledhjen e Kryesisë së PD-së dhe zhvillimet brenda partisë.

Murrizi ngriti pikëpyetje mbi përfshirjen e disa emrave në struktura pa kaluar në votim dhe kritikoi vendimmarrjet e fundit të lidershipit, duke e cilësuar përjashtimin e disa figurave si të nevojshëm.

Ai theksoi se nënkryetarët e partisë duhet të zgjidhen nga Këshilli Kombëtar dhe jo të caktohen nga liderët, duke e cilësuar emërimin e Gazment Bardhit si të papërshtatshëm.

“Sa kohë mandati i deputetëve mbaron më 12, duhet të ishin në kryesi. Nuk besoj se ka ndonjë arsye të fortë për të mos qenë aty, aq më tepër që janë pa pagesë. Nuk e kuptoj dot çfarë sikleti kishin. Ne vuajmë për njerëz dhe përjashtimi duhej të ndodhte.

Nuk kam dijeni të plotë, por nuk besoj që janë ftuar dhe kanë refuzuar, sepse nuk ka ndonjë shkak që të mos marrin pjesë. Madje, ka qenë një debat në Këshillin Kombëtar, ku numri i të pazgjedhurve ka qenë më i lartë se i të zgjedhurve.

Unë kam kërkuar gjithmonë që askush të mos vijë pa votë kushdo qoftë ai. Unë nuk njoh dhe nuk kam njohur asnjë njeri që të vijë në poste të larta si nënkryetar partie, pa u votuar më parë, siç është rasti me Gjekmarkajn dhe Gazment Bardhin.

Pazaret që bëhen jashtë institucioneve, për interesa personale apo grupi, mund të shiten si interesa të mëdha për demokratët, por nuk besoj se i respekton askush. Nuk ka demokrat të vërtetë që t’i njohë ato si pjesë të partisë.

Për shembull, Boci dhe Bylykbashi janë zgjedhur me votë nga Këshilli Kombëtar dhe unë ata i kam njohur si nënkryetarë. Besoj se njësoj mendojnë shumë demokratë të tjerë.

Nuk ka pasur diskutim ditën e sotme për poste nga ato që “të ha buza kulac” si për shembull, kryetar grupi parlamentar apo nënkryetar i Kuvendit.

Berisha nuk është pronar i Partisë Demokratike që të zgjedhë vetë Gazment Bardhin. Nënkryetarin e PD-së e zgjedh Këshilli Kombëtar. Nëse Berisha flet për një parti të lirë, nuk mund të jetë ai që i cakton të gjitha. Nëse vazhdon kështu, herën tjetër, nga 50 deputetë do mbeten 25.

Nënkryetari i PD-së vjen si propozim nga grupi parlamentar, por jo si vendim përfundimtar. Për mua, Bardhi nuk është zgjedhja e duhur”, përfundoi Murrizi.