Altin Arapi, i njohur edhe me mbiemrin Demiri dhe pseudonimin “Boraqi”, është një nga personat e arrestuar në kuadër të operacionit policor “Vjeshta”, të zhvilluar kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në Sarandë.

Sipas burimeve, 49-vjeçari konsiderohej prej vitesh si një person me rol të rëndësishëm në tregun lokal të kokainës. Në operacionin e fundit nuk janë arrestuar persona të identifikuar si bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të tij, megjithëse dyshohet se Arapi ishte skeduar së bashku me të paktën dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve i ndaluar më herët.

Të njëjtat burime pretendojnë se ai kishte qenë prej kohësh nën vëzhgimin e policisë, por sigurimi i provave dhe arrestimi i tij kishin rezultuar të vështira. Gjithashtu, janë ngritur dyshime të pakonfirmuara se Arapi mund të merrte informacione nga persona brenda strukturave policore, duke arritur të shmangte operacionet e organizuara kundër tij.

Një prej episodeve të përmendura është ai i 20 janarit 2022, kur policia tentoi ta kontrollonte me dyshimin se mbante lëndë narkotike. Gjatë ndërhyrjes nuk u gjet drogë, por Arapi u arrestua për kundërshtim të punonjësve të policisë. Sipas të dhënave të raportuara në atë kohë, ai bëri rezistencë dhe theu telefonin celular.

Emri i tij u përmend sërish në maj 2025, pas paraqitjes në Spitalin e Sarandës të një 15-vjeçareje në gjendje të intoksikuar. Në atë rast u raportua se e mitura kishte pasur me vete pesë gramë kokainë, ndërsa Arapi ishte mes personave të marrë në pyetje nga autoritetet.

Rreth tetë vjet më parë, ai ishte arrestuar në Tiranë së bashku me dy persona të tjerë nga Saranda, pasi iu gjet një sasi e vogël kokaine. Për këtë rast qëndroi disa muaj në burg.

Një tjetër episod që lidhet me emrin e tij daton në janar 2021. Policia shoqëroi në Delvinë një person për të cilin kishte marrë informacione se mund të përfshihej në një konflikt me Arapin. Ndërhyrja u krye në kuadër të masave parandaluese.

Personat e tjerë të arrestuar në operacionin “Vjeshta”

Mes të ndaluarve të operacionit në Sarandë ka edhe persona të tjerë me precedentë të mëparshëm penalë.

Feliks Filija, 27 vjeç, njihet si mik i Elvis Çaushllarit, i njohur edhe si Vis Korçari. Filija ishte arrestuar në Elbasan në vitin 2020 për tentativë vrasjeje me dashje, të kryer në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Medi Myftaraj, 35 vjeç, u arrestua në Skrapar në shtator 2017. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Vlorës me tre vjet e katër muaj burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Në momentin e kapjes, gjatë kontrollit në banesë, policia i sekuestroi rreth 500 gramë kanabis. Myftaraj u arrestua përsëri në mars 2023 në Ksamil, ku iu gjet një tjetër sasi kanabisi.

Fabjo Berhamaj, 30 vjeç, u ekstradua nga Gjermania në vitin 2016, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Fierit me shtatë vjet burg për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Ai rezulton gjithashtu me precedent në Sarandë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Devis Saliaj, 22 vjeç, ishte arrestuar në shtator 2023 në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, si pjesë e një grupi të dyshuar për shpërndarjen e kanabisit dhe kokainës. Ai u ndalua përsëri në kryeqytet në dhjetor 2025, ndërsa më 6 qershor të po atij viti ishte plagosur me thikë në zonën e njohur si “Ekualipsi” në Sarandë.

Erjon Dido, 41 vjeç, i njohur me pseudonimin “Macistja”, ishte arrestuar në tetor 2018 në Sarandë, pasi iu gjet një sasi kanabisi. Në dhjetor 2024 ai u procedua sërish për prodhim dhe shitje narkotikësh, në kuadër të hetimit ndaj një grupi.

Dhimitri Terolli, 33 vjeç, i njohur me pseudonimin “Miçp evgjiti”, rezulton i arrestuar disa herë, kryesisht për vjedhje. Në një rast ai është proceduar edhe për plagosje të lehtë me dashje, ku personi i dëmtuar raportohet se ishte një tjetër përdorues i lëndëve narkotike.

Nazif Refitaj, 24 vjeç, ishte arrestuar në Patos në vitin 2021, nën akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim.