Të tjera të dhëna janë zbardhur nga operacioni i gjerë antidrogë i zhvilluar në Tiranë, në kuadër të të cilit 55 persona janë vënë në fokus të autoriteteve, nën dyshimet për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave të raportuara, aktiviteti i grupeve të goditura shtrihej në zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa një pjesë e shpërndarjes dyshohet se kryhej pranë dhe në disa shkolla të mesme.

Mes gjimnazeve të përmendura janë “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali”, “Çajupi” dhe shkolla profesionale Ekonomike. Sipas raportimeve, lëndët narkotike dyshohet se u shpërndaheshin edhe të miturve.

Në dosjen e operacionit përmendet edhe Ferit Xhani, i njohur me nofkën “Luzi”, i cili dyshohet se kishte rolin e furnizuesit. Xhani është një emër i njohur për policinë dhe rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për çështje që lidhen me drogën dhe plagosjen.

Një tjetër person që dyshohet se kishte rol të rëndësishëm në veprimtarinë e këtyre grupeve është ish-efektivi i policisë Engrid Henaj. Ai ishte përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit disa vite më parë, pasi ishte arrestuar për vjedhje.