Është publikuar ditën e sotme emri dhe fotoja e efektivit 20-vjeçar i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e së hënës gjatë arrestimit të 45-vjeçarit Zamir Skënderi. Ky i fundit i mori armën policit dhe e qëlloi në këmbë.
Bëhet fjalë për policin Arsen Toska i cili, prej 3 ditësh, mësohet se po merr mjekim te Spitali i Traumës pasi mbeti i plagosur nga Skënderi i cili e qëlloi në kofshë , duke i shkaktuar kështu dëmtime serioze dhe paralizë të përkohshme të gjymtyrëve të poshtëm.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës, më 18 majit, në aksin nacional Fier-Dimal, në dalje të fshatit Kutalli, teksa tre efektivë po transportonin të shoqëruarin drejt Komisariatit të Kuçovës.
Zamir Skënderi ndodhej i ulur në sediljen e pasme të automjetit të policisë, ku ka përfituar nga rrethanat për t’i marrë armën efektivit që e shoqëronte.
Ai e ka qëlluar policin 20-vjeçar në kofshë, ndërkohë që pas të shtënave, dy efektivët e tjerë kanë reaguar duke e neutralizuar 45-vjeçarin.
Efektivi i plagosur është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit dhe më pas është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj të arrestuarit, shërbimet e Policisë i kanë gjetur të fshehur në trup një sasi të dyshuar lënde narkotike të llojit kokainë, e cila është sekuestruar si provë materiale.
