67-vjeçari Hysni Ymeri, i cili vdiq pas shpërthimit në Shkodër, është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër. Në vitin 1995 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i Hysni Ymerit.

Pas asaj ngjarje autori është arrestuar nga policia e cila e zbardhi atë vrasje dhe është dënuar nga gjykata. Ndërkohë disa vite më pas sipas burimeve dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit. Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës, sipas Report.

Djali i Hysni Ymerit i cili jeton jashtë Shqipërisë ka ardhur me 25 dhjetor për shkak se nëna e tij vuan nga kanceri dhe mjekët nuk i kanë dhënë shumë kohë për jetën nënës. Edhe sot përpara ngjarjes, ai ndodhej në spital me nënën.

67-vjeçari pasi ka pirë një kafe si çdo ditë me shokët e lagjes është çuar nga lokali për të shkuar në shtëpi dhe më pas në spital tek bashkëshortja por sapo është futur brenda hyrjes së pallatit në katin e parë ndodhi shpërthimi i fuqishëm.  

Hysni Ymeri deri në spital ka shkuar gjallë ndërsa për pak minuta ndërroi jetë si shkak i plagëve të rënda në kokë.

Disa vite më parë djali i xhaxhait i Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten.

Ndërkohë një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër pas një konflikti pronësie. Autori arriti t’i shpëtojë policisë dhe dyshohet se ndodhet jashtë Shqipërisë prej asaj kohe.

Policia po pret vendimin final të antiterrorit nëse ka patur apo jo shpërthim me tritol për t’i dhënë më pas orientimin e duhur hetimeve dhe për ta ndarë nëse është kriminale apo aksidentale.