Policia e Shtetit ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në Sarandë, ku dyshohet se pesë persona kishin shkuar me qëllim kryerjen e një vrasjeje.

Operacioni policor, i koduar “Silenciatori”, u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Gjatë ndërhyrjes në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, policia kapi në flagrancë shtetasit Sidorel Moriseni, 32 vjeç, banues në Tiranë, dhe Alfred Kaja 26 vjeç, banues në Kavajë, të cilët ndodheshin në një zonë pa ndriçim dhe po nxirrnin nga automjeti dy armë zjarri pistoleta, municion luftarak dhe një silenciator.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se të arrestuarit kishin ardhur në Sarandë me qëllim ekzekutimin e një personi, por ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur parandalimin e ngjarjes.

Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestuan edhe Vitrin Hoxha 20 vjeç, banues në Kavajë, Vonis Poka, 31 vjeç, banues në Tiranë, dhe Franko Bobja, 21 vjeç, banues në Kavajë, të cilët akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë operacionit, uniformat blu sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, municion luftarak, një silenciator dhe dy automjete, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e krimit.

Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar objektivin e synuar dhe për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale të grupit.