Sot shënohet një prej momenteve më të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Pas më shumë se tre vitesh gjykim, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë planifikuar për në orën 10:00 shpalljen e aktgjykimit.
Vendimi është në duart e Trupit Gjykues II, i përbërë nga tre gjyqtarë që marrin pjesë në vendimmarrje dhe një gjyqtar rezervë.
Paneli drejtohet nga gjyqtari amerikan Charles L. Smith III, ndërsa përkrah tij janë Christoph Barthe nga Gjermania dhe Guénaël Mettraux nga Zvicra. Gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është caktuar në rolin e gjyqtarit rezervë.
Charles L. Smith III
Amerikani Charles L. Smith III është kryesuesi i panelit që ka drejtuar procesin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Përpara angazhimit në Dhomat e Specializuara, Smith ndërtoi një karrierë të gjatë në sistemin amerikan të drejtësisë, ku shërbeu si gjyqtar në shtetin e Iowa-s.
Ai e njeh gjithashtu sistemin e drejtësisë në Kosovë nga eksperienca e tij në EULEX. Smith ka ushtruar funksionin e gjyqtarit të EULEX-it dhe ka shërbyer edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Në Hagë, ai ka qenë në krye të trupit gjykues gjatë shqyrtimit të çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Christoph Barthe
Gjyqtari gjerman Christoph Barthe sjell në panel një eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës penale, përfshirë çështje me karakter ndërkombëtar.
Një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij lidhet me Gjykatën Federale të Drejtësisë në Gjermani, ku ka ushtruar detyrën e prokurorit publik.
Gjatë aktivitetit profesional, Barthe është marrë edhe me procedime që lidhen me krime lufte dhe gjenocid. Si anëtar i Trupit Gjykues II, ai ka marrë pjesë në shqyrtimin e provave, dëshmive dhe argumenteve të paraqitura gjatë procesit ndaj katër të akuzuarve.
Guénaël Mettraux
Nga Zvicra vjen Guénaël Mettraux, jurist me një profil të fokusuar kryesisht në të drejtën penale ndërkombëtare.
Karriera e tij përfshin angazhime në çështje të krimeve të luftës dhe përvojë përpara institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë. Mettraux ka ushtruar edhe rolin e avokatit mbrojtës dhe të këshilltarit juridik.
Krahas punës praktike në drejtësi, ai është angazhuar edhe në fushën akademike si profesor i së drejtës penale ndërkombëtare.
Në procesin që zhvillohet në Hagë, Mettraux është një nga tre gjyqtarët me të drejtë vote në vendimmarrjen përfundimtare të shkallës së parë.
Fergal Gaynor
Paneli plotësohet nga irlandezi Fergal Gaynor, i cili është caktuar si gjyqtar rezervë.
Edhe Gaynor ka një karrierë të lidhur ngushtë me drejtësinë penale ndërkombëtare dhe çështjet e krimeve të luftës.
Në eksperiencën e tij profesionale përfshihen angazhime në procese pranë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën.
Në çështjen ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ai ka ndjekur procesin në cilësinë e gjyqtarit rezervë të Trupit Gjykues II.
Pas një procesi të gjatë, sot vëmendja është përqendruar te ky panel ndërkombëtar. Smith, Barthe dhe Mettraux janë tre gjyqtarët që do të vendosin mbi aktgjykimin, ndërsa Gaynor mban pozicionin e gjyqtarit rezervë.
