Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka denoncuar në Gjykatën e Posaçme për shpifje, kreun e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.

Lapaj është shprehur se ka të paktën 8 raste të dokumentuara të shpifjes. Në një fjalë për mediat në dalje të Gjykatës së Posaçme, Lapaj është shprehur se nuk e dëshironte një konflikt të tillë, pasi sipas tij ai që gëzohet nga ky konflikt është Edi Rama. Ai thekson se nuk ka dashur konflikt mes partive të reja, por kush kërkon luftë u shpreh se luftë do të gjejë.

“Nuk e kam dashur këtë konflikt sepse ai që fërkon barkun nga ky lloj konflikti është Edi Rama, por zoti Shehaj e kërkoi me qiri duke pretenduar që kemi gjëra për të fshehur dhe frikë. Unë s’kam pasur frikë nga Edi Rama e Sali Berisha dhe jo më nga Agron Shehaj. Unë nuk kam dashur të krijoj konflikt mes të resë, por kush kërkon luftë, luftë do gjejë”, shprehet Lapaj.