Endri Shabani ishte i ftuar sit në “Breaking”, Top News ku foli në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve për koalicionin “Nisma- Shqipëria Bëhet”, ku ai bën pjesë së bashku me forcën politike të Adriatik Lapajt.

I pyetur në lidhej me deklaratën e këtij të fundit, se nëse fiton një mandat nuk do shkojë në Kuvend, Shabani deklaroi se ky është një angazhim personal i Lapajt, por shtoi se nëse Lapaj do ta mbante premtimin, ai do ishte i lumtur të shkonte në kuvend.

“Gjërat që i themi do i bëjmë. Nuk është diskutuar asnjëherë që partia jonë të mos ketë një mandat. Adriatiku ka marrë një angazhim publik, por edhe privatisht, që e gjitha kjo nuk bëhet për karrierën e Adriatikut, që ne nuk po mbledhim vota për të bërë Adriatikun deputet. Për pasojë, në një qëndrim të mirëmenduar e ka thënë dhe publikisht që nëse bëhet fjalë për mandati  tij, ai është i gatshëm të japë dorëheqjen. Ky ka qenë angazhimi i tij, por është angazhim privat dhe për këtë do duhet të pyesni vetë Adriatikun.

Ne kemi një parim me të cilin kemi hyrë në këto zgjedhje. Parimi ishte të garojmë në lista të hapura dhe ne u angazhuam dhe konfirmuam që në datën 11 maj, në orën 19:00, sapo u mbyll votimi, të gjithë ata që ishin në listat e mbyllura dorëzuan dorëheqjen. Ne e mbajtëm fjalën.

E dyta, ne kemi parimin që kush merr më shumë vota, kush renditet më lart, ai merr mandatin. Aktualisht në qarkun e Tiranës Adriatiku është më i votuari dhe mandati i takon atij. Pastaj në se ai e mban zotimin që ka bërë publikisht, është absolutisht vendimi i tij personal. Nëse ai e mban premtimin, unë do shkoj në Kuvend të përfaqësoj ata mijëra qytetarë që më kanë votuar. Nëse Adriatiku mban mandatin, këtë përfaqësim do e bëjë Adriatiku. Adriatiku nuk është njeri që nxitohet dhe i mendon mirë gjërat që thotë. Unë kërkoj që të mos i ushtrojmë presion dhe të presim të përfundojë numërimi”- tha Shabani.