Një falje mbi 2 miliardë euro detyrime tatimore, gjoba e kamatëvonesa por pa një listë konkrete, kështu po merr formë projektligji më i rëndësishëm i paketës fiskale për vitin 2026.

Në një vend ku çdo pagesë publike, çdo tender, çdo kontratë ka për detyrë të jetë transparente, institucionet sot po miratojnë një ligj që u jep mundësi subjekteve të fshihen pas faljeve të mëdha. Mungesa e një liste përfituesish, sipas ekspertëve të tregut, po i shërben klientelizmit dhe dobëson ekonominë e vendit. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, për Top Channel thotë se paratë publike që përkthehen në të ardhura të munguara për buxhetin duhet t’u gjendet pronari.

“Publikimi i listës duhet të jetë parakusht kryesor. Edhe nëse thuhet se e kemi tani në ligj, duhet bërë një klauzolë që jo më vonë se 31 marsi 2026 Ministria e Financave të bëjë publike listën. E vetmja rrugë për të reduktuar në maksimum efektin negativ ekonomik, fiskal, politik të faljeve është të ofrohet transparencë maksimale”, thotë Malaj.

Eksperti fiskal, Eduard Gjokutaj thotë: “Në momentin që publiku nuk di se kush është falur, pse janë toleruar deri më sot dhe çfarë përfiton ekonomia, pra rëndohen apo përfitojnë më shumë të vegjlit apo do të përfitojnë tradicionalisht ata që kanë përfituar deri më sot nga amnistitë, të cilat nuk shkojnë në sinkron me një model të zbatuar të transparencës dhe llogaridhënies.”

Ministri i Financave, Petrit Malaj, e ka justifikuar mungesën e transparencës nga organet tatimore me argumentin se rreth 90% e borxheve janë krijuar nga kompani që nuk ekzistojnë më. Por përsëri ministria që ka propozuar ligjin refuzon t’i bëjë të ditur emrat për publikun.

“Ka edhe një problem kritik në raport me biznesin që paguan taksa. Disa prej bizneseve që përfitojnë faljen i kanë lënë ato para me idenë që s’do t’i paguajnë kurrë dhe kanë filluar biznese të suksesshme me natyrë abuzive. Duhet të jetë pjesa më e madhe e biznesit të vogël dhe të mesëm që ka efekte pozitive në reduktimin e papunësisë dhe reduktimin e varfërisë, ndërsa nëse pretendohet që bëhet për kompanitë, dyshohet që është një ligj i lobuar dhe jo i dobishëm”, shton Arben Malaj.

Pikërisht mungesa e informacionit publik, sipas ekspertëve, lë të hapura dyshime mbi mënyrën se si janë krijuar borxhet, kush ka përfituar tolerime dhe cili është efekti real i faljes te ekonomia dhe tregu.

“Mungesa e llogaridhënies fsheh edhe fajtorët, sepse administrata duhet të raportonte në kohë se çfarë është bërë me paranë publike. Një evazionist nuk heq dorë nga të qenurit i tillë, ai vazhdon në të njëjtën mënyrë”, thotë Gjokutanj.

Publikimi i listës së përfituesve, sipas ekspertëve, nuk është thjesht një detyrim teknik, por testi më i rëndësishëm i besueshmërisë së kësaj pakete dhe i drejtësisë që ndjejnë mijëra biznese që paguajnë detyrimet çdo vit./ Top Channel