Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësimin për vonesat në procesin e regjistrimit të pronave që prej vitesh ndodhen në proces legalizimi.
Gjatë deklaratës së tij, Braçe kërkoi verifikime mbi arsyet pse shumë banesa ende nuk janë regjistruar në emër të përfituesve, pavarësisht afateve ligjore dhe të drejtave të parashikuara në Kodin Civil.
Ai u shpreh se ekziston një nen i posaçëm që lidhet me të drejtën e parashkrimit për ndërtimet e kryera në pronë, duke theksuar se në disa raste ka kaluar një afat prej 20 vitesh që këto prona duhet të ishin regjistruar.
Sipas tij, qytetarët nuk duhet të presin më shqyrtimin e dosjeve në Kadastër, pasi e drejta e tyre për pronësinë është fituar në bazë të ligjit.
“Ka një afat në Kodin Civil që kjo pronë tashmë duhet të regjistrohet në emrin tim. Dua që të verifikoni pse këto prona nuk regjistrohen më në emër të përfituesit,” u shpreh Braçe.
Ai theksoi gjithashtu se bëhet fjalë për banesa që kanë qenë në proces legalizimi për rreth 20 vite dhe që sipas tij e kanë fituar të drejtën ligjore për regjistrim.
Në një reagim në Facebook, Braçe u shpreh më tej se institucionet që nuk zbatojnë Kodin Civil duhet të mbajnë përgjegjësi.
“E gjithë Selita është kështu. Si Selita, edhe territore të tëra të tjera në Tiranë. Banesat janë të njerëzve, pronë e tyre. Kush refuzon edhe Kodin Civil, të lëshojë detyrën që nuk e bën, vulën që e keqpërdor dhe firmën që e vë në radhë”, shkroi ai.
