Avokati i Popullit ka konstatuar se në pesë institucione penitenciare të vendit, trajtimi i personave të privuar nga liria i afrohet standardit degradues.

Në një postim në Facebook ai shkruan se, ky vlerësim alarmant vjen pas inspektimeve të kryera në 18 IEVP gjatë vitit 2025 dhe shqyrtimit të 115 ankesave. Kjo situatë përbën një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe të detyrimeve ndërkombëtare që ka Shqipëria.

Tre shifrat kryesore

5 burgje duhen mbyllur: Burrel, Kosovë-Lushnjë, Kukës, “Mine Peza” (302), “Jordan Misja” (313).
65% mbipopullim në IEVP Lezhë, 181 të burgosur mbi kapacitetin e planifikuar.
253 ditë mesatarja e qëndrimit në paraburgim, pra më shumë se 8 muaj në qeli pa qenë i dënuar.
Realiteti njerëzor pas shifrave

Në shumicën e institucioneve, të dënuarit dhe të paraburgosurit i mbajnë rrobat dhe sendet personale në qese plastike, sepse nuk ka dollapë. Mjeku është prezent vetëm katër orë në ditë. Spitalet rajonale shpesh refuzojnë trajtimin e të burgosurve për “arsye sigurie”. Për personat me probleme të shëndetit mendor nuk ekziston asnjë institucion i specializuar mjekësor, megjithëse ata aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit.

Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka trajtuar 115 raste të paraqitura nga të burgosur dhe familjarët e tyre.

Mbipopullimi, i lokalizuar, jo kombëtar

Në total, sistemi penitenciar është nën kapacitet (5.029 të burgosur dhe 5.747 vende gjithësej = 87%). Por shpërndarja është thellësisht e pabarabartë:

IEVP Lezhë: +65% (181 persona mbi kapacitet)
IEVP “Jordan Misja”: +11% (55 persona)
IEVP Vlorë: +10% (16 persona)
IEVP Fushë-Krujë: +2,4% (9 persona)
56,8% e popullsisë penitenciare janë në paraburgim, pra mbahen në burg megjithëse ende janë të padënuar. Ky është një tregues që cenon parimin e prezumimit të pafajësisë.

Kushtet që cenojnë dinjitetin

Inspektimet kanë konstatuar:

Ambiente të amortizuara, pa ajrim, ndriçim apo ngrohje të mjaftueshme.
Të burgosur që mbajnë sendet personale në qese plastike sepse nuk ka dollapë.
Mungesë e produkteve bazë të higjienës dhe detergjentëve për pastrimin e qelive.
Sisteme ngrohjeje e ftohjeje jofunksionale, sidomos në mot ekstrem.
Mungesë larmishmërie dhe sasie të pamjaftueshme në ushqim.
Mundësi të kufizuara për aktivitete social-kulturore dhe rehabilitim.
Kujdesi shëndetësor: reagim ndaj emergjencave, jo shërbim i vazhdueshëm

Asnjë mjek me kohë të plotë në shumicën e IEVP-ve. Aty ku ka mjek, qëndrojnë vetëm 4 orë në ditë. Mungesë autoambulancash dhe vështirësi për konsulta me specialistë. Spitalet rajonale refuzojnë trajtimin për “arsye sigurie”.n Mungesë e shërbimit stomatologjik dhe e medikamenteve bazë. Asnjë institucion i specializuar për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.

Avokati i Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë:

Rishqyrtim të politikës së paraburgimit. 56,8% të padënuar është një shifër e papranueshme në një shtet që pretendon respektimin e prezumimit të pafajësisë.
Plan të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje, përfshirë ngritjen e një institucioni të specializuar mjekësor për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.
Mbyllje të pesë IEVP-ve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre, dhe një rivlerësim kombëtar të kapaciteteve të sistemit penitenciar.