Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit në Tiranë, është rikthyer sërish në vëmendje pas një reagimi publik të bashkëshortes së tij, Valbona Kalaja.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor të vitit të kaluar, kur gjyqtari u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi, pas një vendimi gjyqësor lidhur me një çështje pronësie.
Së fundmi, Valbona Kalaja ka komentuar në një postim të Toni Gogu, ku ministri publikonte pamje nga ndërtimi i një burgu në Kukës.
Në reagimin e saj, ajo kërkon investime për ndërtimin e një Gjykate të re Apeli në Tiranë, duke theksuar se kushtet e vështira të punës në këtë institucion kishin qenë një shqetësim i vazhdueshëm edhe për bashkëshortin e saj të ndjerë.
“Bashkëshorti im e dëshironte gjithë kohës një gjykatë të re, pasi në Shkodër punonte në një gjykatë me standarde evropiane dhe e mendoj shpesh se, po të ishte me punë në Shkodër, kurrë s’do t’i ndodhte ajo që i ndodhi”, shkruan ajo në komentin e saj.
Pas reagimit publik, ministri Gogu iu përgjigj duke shprehur respekt për figurën e gjyqtarit të ndjerë dhe duke garantuar se përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore mbetet një nga prioritetet institucionale.
“Përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore është një nga objektivat ku po punojmë me institucionet përgjegjëse. Nuk është një punë që bëhet brenda natës, por është një angazhim që e konsideroj të rëndësishëm”, shkroi ministri në përgjigjen e tij.


