Dita e 6 Janarit, e njohur si dita e Ujit të Bekuar, është një prej festave më të shenjta për besimtarët e krishterë në Shqipëri, dhe çdo vit përcillet me madhështi dhe respekt në qytetet e Beratit dhe Elbasanit.
Në Berat, 6 janari është një ditë e shenjtë që simbolizon Pagëzimin e Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, një ngjarje që përkujtohet çdo vit me ritet e traditës fetare, ku besimtarët kremtojnë pagëzimin e Krishtit në ujërat e lumit Jordan. Kjo ditë përkujtohet me një ceremoni solemne në ujërat e lumit Osum, ku besimtarët simbolizojnë pagëzimin e shenjtë në këtë lum të shenjtë.
Ceremonia e 6 janarit në Berat fillon herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit. Pas kryerjes së riteve fetare, Imzot Asti, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e këmbanave të Kishës, i drejtohet lumit Osum për të hedhur kryqin, simbol të festës. 10 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit, përfshirë edhe një fëmijë 8-vjeçar, hidhen në ujërat e ftohta të lumit për të pritur hedhjen e kryqit. Kryqi i Ujit të Bekuar u kap këtë vit nga Fabio Naço, 15 vjeç, nga lagjja Gorricë. Pas ngjarjes, ai merr kryqin dhe viziton çdo shtëpi në lagjet e Gorricës, Mangalem dhe Kala, ku banorët “dorovisin” kryqin e bekuar që ai mban në dorë. Pas ceremonisë, besimtarët drejtohen në Kishë për të mbushur bidonat me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e ruajnë gjatë gjithë vitit për shëndet dhe paqe.
Pavarësisht kushteve të motit, ceremonia e Ditës së Ujit të Bekuar është zhvilluar këtë vit në Elbasan, në një nga komplekset e pishinave, duke tërhequr vëmendjen e besimtarëve dhe vizitorëve. Në këtë ceremoni tradicionale, 14-vjeçari Hermes Halili arriti të kapë i pari Kryqin në ujë, një moment simbolik i rëndësishëm i kësaj feste fetare.
Ceremonia u drejtua nga Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Imzot Andon Merdani, i cili zhvilloi edhe Meshat paraprake në kishë, duke përgatitur besimtarët për këtë akt shpirtëror. Pas Meshave, u hodh Kryqi në ujë dhe pas një garë mes besimtarëve, Hermes Halili u shpall fitues, duke shënuar një moment të veçantë në këtë traditë të përvitshme.
