Gjykata Kushtetuese vendosi që Erion Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranë dhe zgjedhje të reja nuk do të këtë në kryeqytet.

Vendimi, i shpallur këtë të hënë, në orën 17:00, i dha rrugëdalje konfliktit ndërmjet kryebashkiakut të Tiranës, Këshillit të Ministrave që e shkarkuan nga detyra dhe Presidentit të Republikës që shpalli dekret për zgjedhje të parakohshme në kryeqytet.

E ftuar në Top Story gazetarja e Top Channel Anila Hoxha u shpreh se tashmë me rëndësi është të shihet sesi do të vijojnë proceset e tjera ligjore që Veliaj ka, me akuzat që i janë ngritur nga SPAK.

“Në seancë paraprake Veliaj do të jetë i akuzuar si kryebashiak, dhe jo ish-kryebashkiak. Do të shikojmë sesi tani si kryebashkiak, si do ta qeverisë bashkinë nga burgu i Durrësit, ndërsa disa herë ka kërkuar të jetë në detyrë, por i është refuzuar.

Veliaj nuk ka shkuar ende në Kushtetuese për masën arrest në burg’. I ka testuar tre shkallët e gjyqësorit, dhe pasi të shterojë dhe Kushtetuesen, duket se do të ketë si synim Strasburgun. Duke parë ecurinë dhe rëndësinë e çështjes, secili nga të akuzuarit në dosjen e Veliajt, secili prej tyre do të thotë fjalën e tyre dhe do kundërshtojnë. Ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre.

Kjo do të kërkojë kohë…. Nëse do krahasoja procesin e Ilir Beqajt, ishte gati një vit. Dy çështje që nuk është kuptuar strategjia sesi do luajnë në seancë paraprakë, është çështja e Metës dhe të tjerë, dhe Veliajt dhe të tjerë”, u shpreh Anila Hoxha.