Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, pasi ky i fundit e akuzoi se kishte “shtrembëruar faktet dhe provat” në vendimin për rrëzimin e kërkesës së deputetëve demokratë kundër zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat i Popullit.

Bardhi pretendon se Gjykata nuk ka pasqyruar saktë kohën kur PD tërhoqi firmat e mbështetjes për kandidaturën e Shabanit. Sipas tij, firmat u tërhoqën më 5 dhjetor 2025, ndërsa Komisioni i Ligjeve verifikoi kandidaturat dhe i kaloi për votim në seancë plenare më 9 dhjetor, katër ditë më vonë.

Kushtetuesja, nga ana tjetër, sqaron se formulimi i përdorur në njoftimin e saj nuk i referohej mbledhjes së 9 dhjetorit, por afatit fundor që Komisioni i Ligjeve kishte përcaktuar për paraqitjen e mbështetjes së kandidatëve nga 28 deputetë.

Gjykata thekson gjithashtu se njoftimet për shtyp janë përmbledhje të vendimmarrjes dhe nuk paraqesin hollësisht faktet, ndërsa u kërkon palëve të presin publikimin e vendimit përfundimtar të arsyetuar.

Deklarata e plotë e Gjykatës Kushtetuese

“Pas njoftimit të publikuar sot për çështjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, Gjykata u njoh me reagimin e përfaqësuesit të kërkuesit, sipas të cilit ajo ka “shtrembëruar faktet e provat” e çështjes, duke vënë në dyshim besimin publik te vetë Gjykata. Njoftimet për shtyp shërbejnë për transparencën e vendimmarrjes dhe për informimin e orientimin e publikut deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të arsyetuar. Për këtë arsye, hartohen në gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, pa paraqitur hollësisht faktet. Ato përgatiten nga strukturat ndihmëse të Gjykatës, siç veprohet edhe në gjykata të tjera simotra dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (https://hudoc.echr.coe.int/eng-press⁠). Lidhur me reagimin e përfaqësuesit të kërkuesit, Gjykata sqaron se togfjalëshi “momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare” i referohet afatit fundor pararendës që vetë komisioni kishte përcaktuar për paraqitjen e mbështetjes së kandidatëve nga 28 deputetë. Si në çdo rast tjetër, palët duhet të presin vendimin përfundimtar të arsyetuar. Nëse kanë pretendime për saktësinë e fakteve të paraqitura në të, mund të përdorin mjetet ligjore në dispozicion”