Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e saj me të cilin ka pranuar ankimin e Dritan Zaganit, duke shfuqizuar vendimin e datës 18 shkurt 2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim. Dritan Zagani, ish-shef i Seksionit të Narkotikëve në Policinë e Fierit, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim për “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”. Avokati i tij, Dorian Matlija ka njoftuar vendimin, duke shkruar se “ai nuk u akuzua kurrë se kishte përfituar nga detyra apo se kishte favorizuar trafikantë”.

“Përkundrazi, episodet e përdorura kundër tij lidhen me operacione të suksesshme që sollën sekuestrimin e 109 kilogramëve kanabis në Shqipëri dhe arrestimin në Itali të një personi me 6 kilogramë kokainë. Megjithatë, gjykatat e dënuan pa identifikuar ndonjë ligj konkret të shkelur, ndonjë dëm të shkaktuar apo ndonjë qëllim kriminal të Zaganit. Çështja nuk mund të ndahet nga konteksti politik. Zagani kishte denoncuar lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me grupin Habilaj, trafikimin e drogës dhe dekonspirimin e operacioneve policore. Përpara se gjykatat të vendosnin për fajësinë e tij, Kryeministri Edi Rama e shpalli publikisht kriminel dhe bashkëpunëtor të trafikantëve të drogës, si dhe person që dekonspironte operacionet e policisë. Edhe ministri i Brendshëm e sulmoi publikisht dhe i paraqiti denoncimet e tij si shpifje të një personi që kërkonte të fitonte azil politik.

Koha tregoi se denoncimet e Zaganit nuk ishin fantazi. Grupi Habilaj u bë objekt procesesh penale dhe ish-ministri Tahiri u dënua penalisht. Ndërsa Zagani, i shpallur fajtor publikisht nga Kryeministri përpara vendimit të gjykatës, u detyrua të largohej nga vendi dhe sot jeton nën mbrojtjen e azilit politik. Akuza kryesore lidhej me një operacion në Levan të Fierit. Sipas dëshmive dhe provave të paraqitura në proces, Zagani siguroi informacion të saktë dhe ia raportoi informacionin eprorit të tij të drejtpërdrejtë, Skënder Hita. Operacioni u drejtua nga ky i fundit, me dijeninë e drejtuesve të tjerë të policisë. Sipas prokurorisë, ky operacion solli anomali në një operacion tjetër për arsye se eprorët e Zaganit nuk u koordinuan me qendrën. Për habi të të gjithëve, Dritan Zaganit iu ngarkua një përgjegjësi penale e fabrikuar, ndërsa drejtuesit e operacionit nuk u proceduan kurrë.

Madje, Skënder Hita, ish eprori i Zaganit në atë episod, sot është promovuar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 30 mars 2026. Ky kontrast është tregues i fuqishëm i karakterit selektiv të akuzës. Nëse operacioni në Levan kishte krijuar probleme, përgjegjësia nuk mund të ndalej te oficeri vartës që vetëm solli informacionin e vlefshëm dhe të harroheshin pikërisht eprorët që morët vendimin dhe drejtuan aksionin dhe nuk siguruan koordinimin e duhur me qendrën. Nëse drejtuesit nuk kishin kryer vepër penale, atëherë nuk shpjegohet se si i njëjti veprim u kthye në shpërdorim detyre vetëm për Dritan Zaganin. Kjo forcon bindjen se akuza ishte fabrikuar keq për të diskredituar dhe neutralizuar personin që kishte prekur interesa politike dhe kriminale. Gjykata e Lartë e mbylli çështjen me një formulë standarde, tipike prej atyre që synojnë të ulin shpejt dhe pa cilësi stokun e dosjeve me qëllim fshehjen e dështimit katastrofik të reformës në drejtësi, pa iu përgjigjur pretendimeve themelore të mbrojtjes në një çështje kaq delikate. Gjykata Kushtetuese konstatoi se kjo e kishte bërë aksesin e Dritan Zaganit në drejtësi vetëm formal dhe kishte cenuar të drejtën e tij për proces të rregullt ligjor”-, njofton avokati i tij.