Në Gjykatën Kushtetuese do të zhvillohet sot seanca për shqyrtimin e ankimit të depozituar nga deputetët e opozitës lidhur me vendimmarrjen për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare. Ankimi i paraqitur nga përfaqësues të Partia Demokratike lidhet me komisionin hetimor për çështjen McGonigal, si dhe me komisionin për zgjedhjet e 11 majit.
Në kërkesën e tyre, deputetët kërkojnë që Kushtetuesja të përcaktojë detyrimin e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.
Po ashtu, deputetet kanë kërkuar edhe ngritjen e një komisioni të dytë hetimor, me objekt kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe verifikimin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Demokratët do të përfaqësohen nga Kryetari i Grupit Parlamentar te PD, Gazment Bardhi dhe Këshilltari i Grupit te PD-s, Marash Logu, të cilë do të mbrojnë padinë për refuzimin e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare.
