Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj mazhorancës socialiste gjatë debatit parlamentar për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke përdorur një fjalor që ka shkaktuar reagime të menjëhershme në sallë dhe jashtë saj.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë dhe shumicën parlamentare se po injorojnë dhe shkeli hapur Kushtetutën e vendit. “Për ju, Kushtetuta nuk ka më asnjë vlerë. Është kthyer në një libër që e përdorni si t’ju vijë për mbarë,” tha ai, duke e cilësuar më tej me një gjuhë të ashpër: “Libri i Kushtetutës është një prostitutë që është përdhunuar publikisht nga socialistët.”
Deklarata e Berishës ka shkaktuar trazira në sallë dhe ka nxitur reagime të forta nga mazhoranca, ndërsa pritet të pasohet edhe nga reagime zyrtare për gjuhën e përdorur.
“Produkt i farsës më të shëmtuar elektorale në historinë e Shqipërisë, pjellë e karteleve të drogës, nuk mund të kishit kurrë fillim tjetër përveç se këtij duke i shpallur armiqësi dhe luftë të plotë mbi të gjitha Kushtetutës së vendit, librit themelor. Por që për ju ka kohë që është një letër e vdekur e zëvendësuar nga neni i parë tek i fundit nga kodi i mafias, drogës, vjedhjes dhe bixhozit.
Nuk ka fillim më armiqësor ndaj qytetarëve shqiptarë që presin që kanë këtë libër si mburojën e tyre. Ju sot, në një garë të turpshme, e shkelmoni atë publikisht, e përdhunoni atë publikisht në parlament, në një sadizëm tipik të narkokriminelëve. Asgjë nuk ju pengon juve të kryeni këtë krim të shëmtuar, të shkelmoni Kushtetutën, e cila ka përcaktuar qartë në nenin 83, pika 2: Kuvendi me kërkesë të Këshillimit të Ministrave ose 1/5 së deputetëve mund të shqyrtojë e miratojë një pr/ligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se 1 javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit. Kurse ata që kanë qenë këtu para jush, në rregulloren e funksionimit të parlamentit, kanë votuar se për shqyrtimin e propozimeve për ndryshimin e rregulloreve ndiqet procedura e parashikuar për shqyrtimin e pr/ligjeve. Por ju s’keni as ligj, as kushtetutë, as moral. Ju silleni para kamerave si një bandë me rregullat e mafias.
Ju dëgjova të përmendni precedentin, po mashtron publikun. Precedenti ishte konsensus. Po ishte, por ishte konsensus. Sot nuk ka konsensus. Sot ka një qëndrim, kërkohet të zbatohet Kushtetuta. E dimë shumë mirë se këto ndryshime do votohen, por kërkohet për të gjithë ata miliona shqiptarë që duhet të kenë Kushtetutën, librin, mburojën e tyre, por që për ju kjo është një prostitutë dhe nuk ka asnjë vlerë. Mandatet tuaja buruan nga blerja masive e votave, buruan nga policia politike, buruan nga censura dhe kontrolli i plotë i 90% të mediave”, u shpreh Sali Berisha.