Pas përfundimit të pushimeve verore, Kuvendi i Shqipërisë rikthehet këtë të martë në aktivitet parlamentar. Deputetët pritet të mblidhen në orën 17:00 në sallën e seancave plenare, ku do të zhvillohet seanca e parë e sesionit të ri.

Ndonëse Kushtetuta përcakton se sesioni i vjeshtës nis të hënën e parë të shtatorit, këtë vit rikthimi i deputetëve është shtyrë me një ditë për shkak të pushimit zyrtar.

Seanca e parë pritet të shoqërohet edhe me protestë jashtë ambienteve të Parlamentit. Qytetarët që prej më shumë se 100 ditësh vijojnë protestat në shesh kanë paralajmëruar rikthimin e tubimeve përpara Kuvendit.

Në pritje të protestës, autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë. Kordonë policie janë vendosur në disa prej hyrjeve që të çojnë drejt Parlamentit, ndërsa perimetri i sigurisë është zgjeruar përgjatë “Rrugës së Elbasanit”.

Situata pritet të monitorohet nga afër nga Policia e Shtetit gjatë zhvillimit të seancës plenare.