Legjislatura e 11-të e Kuvendit do të ndryshojë edhe arkitekturën e këtij institucioni.
Puna e nisur më herët nga një grup i drejtuar nga Eduard Shalsi, ka arritur në përfundimin se duhen shtuar 3 komisione parlamentare të përhershme, duke e bërë më të profilizuar dhe konkrete. Kështu, Komisioni aktual parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese do të ndahet në 3 komisione:
- Komisioni për Energjinë;
- Komisioni për Infrastrukturën, Mjedisin dhe Digjitalizimin;
- Komisioni për Bujqësinë.
Ndërkohë, Komisioni i 11-të pritet të jetë ai që u drejtuar nga Fatmir Xhafaj si komision i posaçëm. Komisioni “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” pritet të kthehet në një komision të përhershëm, çka do të sillte edhe përfshirjen e anëtarëve nga opozita.
Burimet thonë se në këtë skemë të re me 11 komisione, pritet që 7 të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 nga opozita. Megjithatë, ajo që nuk dihet ende dhe mbetet e pakonfirmuar është se cili nga komisionet e reja parlamentare do t’i jepet opozitës për ta drejtuar.


