Pas seancës së tensionuar të 18 shtatorit, ku qeveria e re mori votëbesimin në vetëm 25 minuta për shkak të kaosit të krijuar nga opozita, Kuvendi do të mblidhet sërish sot në orën 10:00 për seancën e radhës plenare.
Në rendin e ditës parashikohet votimi për përbërjen e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare, të cilat kanë qenë jo funksionale deri tani.
Deri më sot, janë miratuar vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e propozuar nga Partia Socialiste, ndërsa mungesa e përfaqësuesve të opozitës ka bllokuar plotësimin e komisioneve të tjera.
Pas një periudhe ngërçi, Partia Demokratike ka dorëzuar një ditë më parë emrat për katër komisionet parlamentare që i takojnë për t’i drejtuar, duke i hapur rrugë zhbllokimit të situatës.
PD i kishte përcaktuar më herët drejtuesit dhe nënkryetarët për komisionet që i takojnë opozitës dhe ato që drejtohen nga mazhoranca, por nuk i kishte depozituar zyrtarisht në Kuvend për shkak të kundërshtimit ndaj rregullores së re parlamentare.