Në një seancë maratonë Kuvendi votoi pas mesnatës me 81 vota pro buxhetin për vitin 2026.

886.7 miliardë lekë ose 8.8 miliardë euro do të jenë në dispozicion të institucioneve për t’u shpenzuar.

Të ardhurat planifikohet të arrijnë në vlerën 8.2 miliardë euro nga 7.7 miliardë euro aktualisht, rritje që pritet të ndikohet kryesisht nga zhvillimi ekonomik, vijimi i turizmit dhe miradministrimi.

Në vitin që vjen borxhi publik do të kapë shifrën e 14.9 miliardë euro, nga 14.2 miliardë euro i parashikuar për këtë vit. Rritja ekonomike është planifikuar në 4%, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi.

Si do bëhet shpërndarja

Për vitin e ardhshëm është parashikuar formula e re e rritjes së pensioneve që parashikon bonuse të përmuajshme. Sipas të dhënave në projektligj fondi për bonuset në vitin që vjen do të jetë 100 milionë euro si dhe janë parashikuar 16.5 milionë euro për indeksimin e tyre.

Buxheti i ri mbështet edhe rritjen e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë si dhe indeksimin me 2.5% të pagave të administratës publike, duke nisur nga 1 janari.

Investimet publike për vitin 2026 janë parashikuar të arrijnë në vlerën rreth 1.8 miliardë euro, nga 1.6 miliardë euro të planifikuara këtë vit.

13.5 miliardë lekë është fondi për kompensimin e medikamenteve, si dhe 1.5 miliardë lekë do përdoret për barnat onkologjike.