Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancë plenare, ku në rend të ditës është fillimisht një mocion me debat për problematikat e konstatuara nga raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri dhe gjetjet e progresraportit të Komisionit Evropian.

Më tej rendi i ditës vijon me diskutimet për projektrezolutën “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Seanca plenare vijon me një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga deputeti Tritan Shehu, për publikimin e një editoriali në median gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung në bashkautorësi me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Seanca vijon me interpelancën me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri, lidhur me miratimin e lejes së ndërtimit në Rrjoll të Shkodrës.

Më pas seanca vijon me interpelancën me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Enno Bozdo, lidhur me rritjen e çmimeve të energjisë, veçanërisht naftës dhe derivateve të saj nga lufta në Iran.

Seanca vijon me interpelancën me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, kërkuar nga deputeti Erion Braçe për trajtimin e kafshëve të shoqërimit-shtëpiake, të braktisura, prej njësive të pushtetit vendor.

Deputeti Erion Braçe ka kërkuar një tjetër interpelancë me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, për organizimin dhe funksionimin, trajtimin e shërbimit zjarrfikës në Republikën e Shqipërisë.