Gjashtë deputetë të opozitës janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit për një periudhë prej 30 ditësh, pas kaosit të shkaktuar gjatë seancës plenare të së enjtes.
Flamur Noka, një nga deputetët e përjashtuar, i cili foli për mediat pas vendimit, theksoi se kjo masë nuk do të ndalojë opozitën në realizimin e misionit të saj. Sipas Nokës, pas protestës së zhvilluar ditën e djeshme, qeveria ka shfaqur shqetësim dhe ka reaguar me masa të tilla.
“Çdo njëri nga kolegët e opozitës ndihet krenar se këto masa, bien mbi ata deputetë që kanë qenë të pa kompromis në betejën prej 12 vitesh ndaj krimit të organizuar dhe karteleve. Nuk na stepin, ne do jemi përballë tyre. Dje e kanë marrë një mesazh nga protesta ndaj sot janë të shqetësuar, por ne nuk ndalemi. Do ta çojmë misionin tonë deri në fund”, tha Noka.


