Një aksident i rëndë rrugor në aksin Librazhd–Elbasan i ka marrë jetën një biznesmeni të njohur kinez, ndërsa disa persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas raportimeve të mediave kineze, viktima është Li Jianhong, 60 vjeç, president i kompanisë Xinjiang Grand Scape Group, i cili ndodhej në Shqipëri për një udhëtim pune. Ngjarja u regjistrua pranë zonës së Xibrakës, ku ai humbi jetën në vend si pasojë e përplasjes.

Ndërkohë, Policia e Shqipërisë ka dhënë detaje zyrtare mbi aksidentin, duke bërë me dije se përplasja ndodhi rreth orës 14:50 mes dy automjeteve, njëri prej të cilëve drejtohej nga një shtetas kinez 33-vjeçar, ndërsa tjetri nga një 26-vjeçar shqiptar.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i automjetit ku udhëtonte viktima ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër dhe tre pasagjerë janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. 26-vjeçari është arrestuar në flagrancë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Li Jianhong konsiderohej një nga sipërmarrësit më të suksesshëm në rajonin e Xinjiangut. Ai ishte themelues i resortit të skive Silkroad Mountain Resort në Urumqi dhe drejtonte një kompani që operonte në fusha si telekomunikacioni, turizmi dhe investimet, me asete që arrinin në rreth 205 milionë dollarë dhe mijëra të punësuar.

Përveç aktivitetit në biznes, ai njihej edhe për pasionin për aventurën, duke realizuar sfidën “Explorer’s Grand Slam”, që përfshin ngjitjen e majave më të larta të botës dhe arritjen në të dy polet e Tokës.

Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.

View this post on Instagram

A post shared by Gazeta Shqip (@gazeta_shqip)