Këshilltari opozitar Dorian Teliti njoftoi se Partia Demokratike do të japë votën për shkarkimin e Erion Veliajt nga pozicioni i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, Teliti iu drejtua këshilltarëve socialistë duke theksuar se ata po ngrihen në “lartësinë e detyrës” pas mungesës prej 7 muajsh, që sipas tij, i ka kushtuar shumë qytetit.

Teliti deklaroi se gjyqin ndaj Veliajt do ta bëjë Gjykata, por theksoi se kryebashkiaku duhet të ishte sot në mbledhje dhe të përballej me akuzat. Ai e akuzoi Veliajn për krime ekonomiko-financiare dhe për kthimin e Tiranës në “një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave”

“Po ngriheni në lartësinë e detyrës, keni 7 muaj që i keni munguar kësaj lartësie. Kjo i ka kushtuar Tiranës shumë. Ky është akt historik. Sot i bashkuam votat jo ne me ju, por ju me ne, pasi kemi 4 muaj që kjo ditë të ndodhte dhe ju përsëri nuk u ngritët. Më mirë vonë se kurrë, por faleminderit sot që të paktën po e çlironi Tiranë. Do doja që ky akt të ishte i pasqyruar edhe me shumë shkelje të tjera që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve. Veliaj nuk duhet shkarkuar se mungoi 90 ditë, duhet shkarkuar për krimet ekonomiko-financiar dhe braktisjen që i ka bërë Tiranës, e ka kthyer Tiranën në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave. Ky pr.vendim nuk është i plotë, ndonëse do marrë votat tona dhe është kërkesa jonë politike. Do doja shumë që i pandehur Erion Veliaj, kryetari në ikje ta kishim sot këtu, t’ia thoja në sy, sepse s’ka pasur kurajo të qëndronte para nesh, të përballej me ne. Gjyqin e vet do ia bëjë Gjykata, ama duhej të ishte sot këtu në të drejtën e tij kushtetuese dhe të jepte variantin e tij, t’ia thonim në sy këto të vërteta therëse e kriminale që i ka shkaktuar këtij kryeqyteti”, tha Teliti.