Ilir Dushku, 29 vjeç, është arrestuar mbrëmjen e djeshme gjatë një operacioni të policisë së Tiranës, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri në makinë. Dushku, banues në Tiranë, është një person i njohur për autoritetet, pasi ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Në të njëjtën kohë, u arrestua edhe Bjorli Xhabrahimi, 22 vjeç, gjithashtu banues në Tiranë. Arrestimi i tyre ka ndodhur në zonën e Mjull Bathore, ku gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë gjahu teke dhe 29 fishekë arme gjahu që i përkisnin Dushkut, si dhe një armë tjetër gjahu që iu gjet Xhabrahimit.
Në vazhdim të operacionit, Policia ka kryer një kontroll edhe në banesën e Ilir Dushkut, ku gjeti dhe sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 1 armë të ftohtë dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Policia ka nisur hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe për të zbardhur çdo detaj tjetër që lidhet me aktivitetin kriminal të këtyre individëve.
